E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Lushnjes, protestojnë dëshmitarët

Shtatë nga dëshmitarët që pritej të rrëfeheshin në procesin penal ndaj të akuzuarve si anëtarë të bandës së Aldo Bares, kanë paralajmëruar se nuk do të vijnë më në Tiranë. Shkak u be shtyrja e seancave qe nuk eshte gje e rralle per kete proces gjyqesor 

TIRANE-Të dëshpëruar nga ecejaket në dyert e Gjykatës së Krimeve të Rënda, shtatë nga dëshmitarët që pritej të rrëfeheshin në procesin penal ndaj të akuzuarve si anëtarë të bandës së Aldo Bares, kanë paralajmëruar se nuk do të vijnë më në Tiranë. "Kemi javë të tëra që sorollatemi. Lëmë punët, familjet, harxhojmë lekë për të ardhur këtu. Na pyesni ç'të doni, por mos na sorollatni! Çdo javë na vijnë policët të na marrin me forcë", - thanë shtatë dëshmitarët me zë të lartë, kur trupi gjykues u bëri me dije se duhet të vinin sërish javën tjetër. Shumë prej tyre vinin për të gjashtën herë por pa mundur të dëshmonin, pasi seancat gjyqësore shtyhen kryesisht për mungesë të avokatëve. Dhe dje ndodhi e njëjta gjë. Njëri prej mbrojtësve njoftonte gjykatën se nuk mund të paraqitej për arsye shëndetësore dhe kërkonte shtyrjen e gjyqit. Në këto kushte kryesuesja e seancës, Marsela Balili u detyrua të shtynte sërish seancën. Procesi penal ndaj të pandehurve Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion Cici, Arjan Aliçko, Jorgo Muzaka dhe Rexhep Gina, ka nisur prej afro dy vitesh. Mbi supet e të pandehurve rëndojnë akuza të rënda, të kryera në kuadër të bandës famëkeqe të Lushnjës, të drejtuar nga Aldo Bare alias Alfred Shkurti.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›