E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banesa për kuadro

Shaqir Demiri, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Mitrovicës, me përkrahjen e kryetarit të komunës, Avni Kastrati, ka formuar një grup ekspertësh me mjekë të spitalit rajonal në këtë komunë, me qëllim të krijimit të një plani për krijimin e kushteve më të mira për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Drejtori Demiri tha se ky grup do të identifikojë nevojat dhe do të propozojë hapat që duhet të ndërmerren për zbutjen e gjendjes në shëndetësi. Ai tha se kjo po bëhet me qëllim që kryetarit të komunës, i cili është shumë i interesuar që të ndihmojë t’i ofrohet një bazë e mirë në mënyrë që më lehtë ta ketë për hapat që do të ndërmarrë.

Demiri theksoi se problem kryesor sa i përket shëndetësisë sekondare në këtë komunë, ku tashmë janë funksionalizuar disa reparte të spitalit të sapondërtuar, është mungesa e kuadrit. “Për shkak të rrethanave që kanë ekzistuar në këtë komunë pas lufte shumë kuadro kanë shkuar nga Mitrovica. Tash duhet të bëhet diçka në drejtim të kthimit të tyre si dhe investimet në kuadro të reja”, ka thënë Demiri.

Në anën tjetër, kryetari Kastrati, ka thënë se shëndetësia është një prej segmenteve më të goditura nga rrethanat e pasluftës në Mitrovicë. Për këtë ai theksoi se është shumë i vendosur që të ndihmojë me të gjitha mjetet që ka në dispozicion. Në këtë drejtim, ai përmendi edhe presionin që duhet të bëhet tek instancat qendrore që Mitrovica të trajtohet ndryshe, meqë përballet me probleme shumë të mëdha që nuk tejkalohen pa ndihmën e të gjithëve. Ai potencoi se si zgjidhje për kuadrot që kanë vullnetin të kthehen dhe të punojnë në Mitrovicë, sigurimin e banesave. Tha se duhet bërë diçka që gjendja të ndryshojë, meqë qytetarët e kësaj komune dhe gjithë rajonit kanë probleme të mëdha sa i përket shërbimeve shëndetësore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›