E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banesat, arsyet e rritjes së çmimit

Kostot në ndërtim nuk justifikojnë rritjen e çmimeve që llogaritet më shumë se 25 çdo vit

Rritja e çmimit të apartamenteve nuk vjen nga kostot por mbetet e bazuar në lidhjen kërkesë-ofertë. Pavarësisht se ndërtuesit deklarojnë që ka një rrije të ndjeshme të kostos së çimentos dhe hekurit, Instituti i Statistikave ka llogaritur se kjo rritje mbetet tejet e ulët nëse e krahasojmë me çmimin e banesave. Me anë të raportit tremujor të Indeksit të Kushtimit në Ndërtim, INSTAT llogarit edhe rritjen e shpenzimeve që realizojnë kompanitë e ndërtimit. Ky raport nxirret pas marrjes së të dhënave nga një grup i zgjedhur i kompanive që operojnë në këtë sektor të rëndësishëm. Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë të këtij viti ka pasur një rritje vetëm me 1.1 për qind të Shpenzimeve Direkte kundrejt tremujorit të mëparshëm. Shpenzimet e firmave të ndërtimit për blerjen e materialeve gjatë këtij tremujori kanë pësuar një rritje me vetëm 1.4 për qind, ndërsa zëri Shpenzime për paga pësoi një rritje vetëm me 0.3 për qind. Për sa i përket shpenzimeve të tjera INSTAT bën të ditur se firmat e ndërtimit kanë blerë me çmime të njëjta. Materialet elektrike janë edhe grupi që kanë pësuar rritjen më të madhe me 2.3 për qind gjatë këtij tremujori.

Sektori i ndërtimit është përfshirë në një rritje të fortë çmimesh edhe gjatë pjesës së parë të vitit 2008. Vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2008 rritja e çmimeve ka qenë me rreth 25 për qind, duke treguar krizën që ka përfshirë sektorin me rritjen më të shpejtë në ekonomi për shumë vite me radhë. Investimet në banesa, që lidhen kryesisht me sektorin e konsumatorëve familjarë, sipas Bankës së Shqipërisë shënuan rënien më të madhe në nivel vjetor në vitin 2007. Nga ana tjetër, megjithëse rritja e çmimeve në këtë sektor vazhdon që të jetë e ndjeshme studimet tregojnë se në krahasim me vitin 2007, sipërmarrja e ndërtimit ka një pritshmëri më të ulët për ecurinë ekonomike të këtij sektori. Sipas studimeve të realizuara, një nga vështirësitë me të cilat po përballet sektori i ndërtimit është rënia e ndjeshme e kërkesës për banesa dhe njësi tregtare. Studimi bën të ditur se në muajin janar 2008, 30% e firmave të ndërtimit shprehen se janë ndikuar negativisht në aktivitetin e tyre ndërtues nga mungesa e kërkesës konsumatore. Ky nivel, sipas studimit, është 6 pikë në përqindje më i lartë se 3 muaj më parë dhe gjithashtu 9% më i lartë se një vit më parë. Megjithatë, rritja e vështirësive që ka hasur biznesi i sektorit të ndërtimit nuk ka çuar në një ulje të tendencës së çmimeve në këtë sektor, e cila është ndikuar përgjithësisht nga mungesa e ndërtimeve të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›