Çmimi i naftës ulet me 2-3 lekë të tjera
Çmimet e hidrokarbureve në Shqipëri u ulën me 2-3 lekë të tjera gjatë ditëve të fundit, si pasojë e uljes së çmimeve në tregun ndërkombëtar. Në pikat e karburantit gjatë rrugëve kombëtare, nafta e tipit d2 ra deri në 150 lekë për litër, ndërsa d1 ra në 155 lekë për litër. Në Tiranë, çmimi i naftës në disa pika është ende 155-160 lekë për litër, por tendenca e përgjithshme është në rënie.
Rënia e çmimeve në tregun e brendshëm është pasojë e faktit se çmimet në tregun ndërkombëtar duket se janë stabilizuar në kuotën 110-120 dollarë për fuçi dhe se kanë disa javë që nuk lëvizin nga kjo fashë, pavarësisht rritjes së presionit gjeopolitik apo faktorëve të tjerë. Sipas të dhënave të “Shekulli”-t, çmimi i naftës në Shqipëri sot është afërsisht i barabartë me çmimin e muajit prill të këtij viti, kur çmimet në tregun ndërkombëtar qenë sa janë edhe sot.
Ndërkohë, shqiptarët duket se po i përdorin makinat e tyre gjithnjë e më pak. Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, importi i naftës në sasi u rrit me vetëm 0.47%, sipas të dhënave të doganave, shifër kjo e ulët, duke marrë parasysh rritjen e numrit të makinave në qarkullim si dhe faktin se nafta e konsumuar nga transporti i mallrave mbetet e njëjta sasi si më parë.
Ndërkohë, tregtarët e naftës duket se kanë kaluar tashmë në kurriz të konsumatorëve, ndryshimet e fundit fiskale të urdhëruar nga Ministria e Financave. Më 1 korrik, hyri në fuqi një udhëzim i ri për vendosjen e Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar te nafta dhe benzina, gjë që rriti taksimin e përgjithshëm të këtyre produkteve me 2-3 lekë për litër. Ministria e Financave dhe Tatimet e shpallën këtë si “masë për të luftuar monopolet dhe abuzimet në tregtinë e naftës”. Një zyrtar i tatimeve shkoi deri aty sa deklaroi se “nafta në Shqipëri shitet 30% më shtrenjtë”. Në fakt, vendosja e TVSH-së për hallkën finale të tregtimit të hidrokarbureve duket se nuk ka sjellë ndonjë ulje të çmimit.