Hidrocentralet private, së shpejti, 46 milionë euro treg
Ministria e Ekonomisë dhe Tregtisë, njoftoi dje se gjatë dy viteve të fundit, qeveria ka miratuar 27 kontrata koncesionare për hidrocentrale me fuqi të instaluar prej 125 Megawat dhe me prodhim të projektuar vjetor prej 602 milionë kilovatorësh. Me formulën aktuale të përcaktimit të çmimit të energjisë elektrike që furnizuesi publik do t'i paguajë prodhuesve privatë, së shpejti, nga xhepat e kompanisë publike do të fillojnë të dalin 46 milionë euro në vit, ndërsa ndërtimi i hidrocentraleve po bëhet biznesi më fitimprurës në vend. Sipas kontratave të nënshkruara, privatët kanë marrë angazhim të investojnë 16 miliardë lekë (131 milionë euro), ndërsa investimet do të mund të kthehen për një afat rekord prej 2.8 vitesh. I nisur si një biznes sipërmarrjesh të vogla në vitin 2002, hidrocentralet ekzistuese me koncesion kanë nxjerrë gjatë vitit të kaluar rreth 4 milionë euro nga arkat e KESH, por me valën e re të koncesioneve, detyrimet e korporatës, do të rriten me ritme galopante.
Formula
Vitin e kaluar, qeveria miratoi një formulë të re për përcaktimin e çmimit të energjisë që KESH do t'i paguajë prodhuesve privatë, bazuar në çmimin mesatar të importit në vitin paraardhës. Për këtë vit, kostoja e përcaktuar në bazë të kësaj formule, është 9.3 lekë për kw/h, por shumë ekspertë janë të pakënaqur me këtë metodologji, pasi po krijon një skemë krejtësisht të panevojshme subvencionimi për prodhuesit privatë të energjisë elektrike, roli i të cilëve në treg nuk është as “interes kombëtar” e as “i domosdoshëm”. Kostoja e prodhimit të energjisë elektrike nga hidrocentralet është shumë e ulët. Ajo konkurron energjinë e prodhuar me central nuklear, (1.2 deri në 1.8 cent të euros për kw/h) apo energjinë e prodhuar me qymyr, (2 deri në 2.3 cent të euros për kw/h). Përballë këtyre fakteve, qeveria ka vendosur një formulë që do t'i japë prodhuesve privatë 7 apo 8 cent të euros për kw/h. Ndërkohë, kompani të tjera private janë në garë për të marrë koncesione në këtë fushë.
Ndryshimi i çmimit
Enti Rregullator i Energjisë Elektrike ka miratuar një çmim prej 9.37 lekësh për kw/h për hidrocentralet e reja që janë ndërtuar apo që po ndërtohen aktualisht privatisht në Shqipëri, duke e kthyer Shqipërinë ndoshta në tregun më lukrativ për energjinë hidro. Tarifa prej 9.37 lekësh, sipas rregullave ekzistuese, duhet të paguhet me detyrim nga KESH sh.a., pavarësisht faktit se KESH del me humbje nga ky biznes. ERE, e cila mbikëqyr çmimet e energjisë në të gjitha hallkat, ka miratuar në shkurt të këtij viti një tarifë tjetër prej 6.5 lekësh për kw/h, e vlefshme për hidrocentralet e vogla ekzistuese që operojnë gjithashtu privatisht.
Gjatë vitit të kaluar, prodhimi privat i energjisë elektrike arriti sipas të dhënave të INSTAT në 55 mijë mw/h, që i kushtoi arkës së KESH rreth 3 milionë euro. Hidrocentralet e reja do t’i kushtojnë Korporatës nën pronësi publike, duke filluar nga viti i ardhshëm, miliona euro të tjera. Megjithatë, energjia e prodhuar privatisht në Shqipëri zë ende më pak se 1% të totalit të energjisë së qarkulluar.--------------------------------------------Për KESH, një biznes me humbje
KESH e shet aktualisht energjinë me çmim mesatar prej 8.1 lekësh për kw/h. Nga këto, rreth 2.3 lekë do t’i takojnë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Duke shtuar këtu edhe koston e humbjeve teknike e joteknike, nga energjia e prodhuar privatisht, KESH do të akumulojë humbje të konsiderueshme nga blerja e energjisë nga prodhuesit privatë.
Çmimi i blerjes së energjisë nga KESH përcaktohet në bazë të një skeme të re të miratuar nga qeveria e sotme, në prill të vitit të kaluar, që merr për bazë mesataren e çmimit të importit gjatë vitit paraardhës. Kjo metodologji shmang burokracitë në përcaktimin arbitrar të çmimeve përmes metodës së vjetër që merrte parasysh kostot dhe konceptin e “fitimit të drejtë”. Por në të njëjtën kohë, duket se ka krijuar një skemë subvencionimi për prodhuesit e vegjël të energjisë me paratë e taksapaguesve.