Banesat “monument kulture” në Shkodër, DRTK Shkodër gati projektet për ndërhyrje gjatë vitit 2026

Disa prej banesave monument kulture në Shkodër, të cilat prej vitesh ndodhen në gjendje të rëndë amortizimi, do t’i nënshtrohen restaurimit të plotë. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore për Zonën Veriore ka hartuar projektet për objektet ku pritet të ndërhyhet gjatë vitit 2026. Ndër monumentet që kërkojnë restaurim të thelluar përfshihen edhe disa prej shtëpive më karakteristike shkodrane. Punimet pritet të realizohen me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës.
“Ne kemi evidentuar disa banesa në qytetin e Shkodrës të cilat kanë nevojë për një projekt të plotë për restaurimin e tyre. Vlera e investimit do jetë shumë e lartë, çka DRTK Shkodër nuk mund ta mbulojë dhe do kërkojë mbështetje nga Ministria e Kulturës”, deklaroi Drejtues i DRTK Shkodër, Helidon Sokoli.
Ndërkohë, restaurimet e pjesshme dhe punimet e mirëmbajtjes së banesave monument kulture mbeten pjesë e punës së përditshme të Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore. Por sipas, drejtuesve te saj, shpesh hasen problematika që lidhen me braktisjen e këtyre banesave për shkak të emigracionit si edhe me çështje të pazgjidhura të pronësisë.
“Shumë nga këto banesa janë të braktisura, familjarët kanë emigruar. Ne kemi vështirësi në aksesin e tyre për ti dokumentuar dhe për të evidentuar problematikat që kanë. Banesat e tjera kanë problematikë në lidhje edhe me çështjen e pronësisë.”, shtoi Sokoli.
Shkodra numëron mbi 150 objekte të certifikuara si “Monument Kulture”, shumica prej të cilave janë banesa karakteristike brenda dhe jashtë qytetit. Kujdesi dhe restaurimi i tyre vlerësohet si një domosdoshmëri për ruajtjen e historisë dhe identitetit kulturor të zonës.
/rtsh.al/