“Mirëmëngjesi Shqipëri” – Këngëtarja Kleansa Susaj: Festivali është periudha më e bukur, këtë vit surpriza me këngën “Hije”

Festivali i Këngës në RTSH, Fest 64, do të mbahet më 17–20 dhjetor, ku 28 artistë do të ngjiten në skenën e Pallatit të Kongreseve për të interpretuar këngët e tyre dhe për të garuar për çmimet e këtij viti. Ndër ta është edhe këngëtarja Kleansa Susaj, e cila këtë vit do të prezantohet me këngën “Hije”.
E ftuar në studion e “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH1, Susaj shprehu entuziazmin e saj për rikthimin në festival me një këngë pop energjike dhe ritmike, ndryshe nga baladat me të cilat ka konkurruar vitet e kaluara. Ajo theksoi se “Hije” është një këngë dashurie e dedikuar rinisë dhe që përfaqëson një publik më të gjerë.
“Këtë vit kam ardhur me këngë ndryshe, është një këngë pop dhe energjike, ritmike dhe mund të kërcehet, është një këngë dashurie, për rininë dhe mendoj se është një këngë shumë femërore dhe jam shumë e lumtur që po vij me një këngë të tillë këtë vit sepse dy vitet e kaluara kam ardhur me balada edhe pse ndihem shumë mirë me to dhe më pëlqejnë shumë. Këtë vit mendoj se do të sjellë shumë energji. Unë gjithmonë e kam thënë dhe do them se kjo periudha e festivalit është për mua periudha më e bukur sepse është e mbushur me shumë emocione prova, shumë punë por që në fund ja vlen”, u shpreh Susaj.
Këngëtarja u shpreh se periudha e festivalit është më e bukura për të, falë emocioneve dhe punës së intensivë që shoqëron përgatitjet. Ajo shtoi se ndihet e lumtur për reagimet pozitive të publikut pas publikimit të këngëve dhe premtoi surpriza në performancën e saj.
“Këngët e dashurisë kam shumë dëshirë ti këndoj sepse më duket sikur janë tema të prekshme nga të gjithë dhe doja që të ishte diçka që të përfaqësonte një audiencë më të madhe se sa një kategori të caktuar. Është një këngë që u ndjejë se është bërë fiks për mua. Kam dëshirë të marrë pjesë edhe herë të tjera në këtë festival dhe shpresoj që të dal me fitore edhe pse arsyeja nuk është çmimi i parë apo Eurovizioni edhe pse eshte një ëndërr duke qenë se është një ndër arritjet më të mëdha”, tha ajo.
Edhe pse pjesëmarrja në festival nuk lidhet domosdoshmërish me synimin për çmimin e parë apo Eurovizionin, Susaj pranoi se mbetet një ëndërr e madhe dhe shpreson që një ditë të dalë fituese.
“Mendoj se kënga është shumë e bukur dhe me çfarë kam parë nga reagimet që kur janë publikuar këngët është pëlqyer dhe jam shumë e lumtur dhe do të ketë surpriza. Sa më shumë pëlqehen këngët e mia aq më shumë vetëbesim kam në të ardhmen. Do të doja që kënga të pëlqehej shumë nga publiku por në fund të fundit bazohet në përformancën time”, theksoi këngëtarja.
/rtsh.al/