E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mirëmëngjesi Shqipëri”, psikologia Xhakollari: Prindërit mbeten të pambështetur, nevojiten më shumë shërbime dedikuese

Sipas të dhënave të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, rreth 1.3 miliardë njerëz në mbarë botën jetojnë me një formë të paaftësisë, çka përfaqëson 16% të popullsisë globale – ose 1 në 6 persona.

Pabarazitë shëndetësore të cilave u përballen këta individë shpesh buron nga stigma, diskriminimi, varfëria, përjashtimi nga arsimi e punësimi, si dhe pengesat brenda vetë sistemit shëndetësor.

E ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH1, psikologia klinike Dr. Lediana Xhakollari theksoi rëndësinë thelbësore të ndërhyrjes së hershme tek fëmijët me aftësi të kufizuara. Sipas saj, edhe pse një pjesë e madhe e këtyre aftësive nuk mund të parandalohen, ndërhyrja profesionale në vitet e para të jetës luan rol vendimtar në zhvillimin e tyre.

“Ndërhyrja e hershme është e rëndësishme si parim në të gjitha llojet e problematikave. Kur flasim për aftësi të kufizuar, pjesa më e madhe e tyre është vështirë të parandalohet, që hapi i radhës Është ndërhyrja e hershme, ndërhyrja shtron rrugën që nesër këta fëmijë të jenë të ngjashëm, të barabartë, të njëjtë me anëtarët e tjerë të shoqërisë. Elasticiteti i trurit është jashtëzakonisht i ndjeshëm në vitet e para kështu që dhe ato që duken se mund të jenë të lindura ose dëmtime neurologjike për shkaqe të ndryshme që më parë mendohej se ishte një gjë e parikthyeshme, puna e specializuar në vitet e para te jetës të jep mundësi të pamasë për të pasur progres”, u shpreh Xhakollari.

Psikologia theksoi edhe rolin vendimtar të prindërve, duke paralajmëruar se mënyra se si ata e shohin dhe e trajtojnë fëmijën ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e tij.

“Është vështirë të japësh receta dhe të themi se duhet bërë kjo gjë, por mund të themi disa ide të përgjithshme që duhet ti kenë parasysh në përgjithësi të gjithë prindërit. Nëse prindi vet do ta shikoj fëmijën si të paaftë kushdo përreth ashtu do ta shikoj dhe do ta trajtoj. Kjo mënyrë e të parit dhe të sjellat ndaj fëmijës nuk e mundëson fëmijën që atë potencial që ka të mund ta provoj apo të zhvilloj. Por kjo gjë duhet të jetë me hapa të vegjël, me inkurajim, me durim me shembuj”, theksoi ajo.

Duke folur për mbështetjen institucionale, Xhakollari vlerësoi përparimet në kuadrin ligjor dhe iniciativat e ndërmarra deri më tani, por nënvizoi se kërkesat dhe nevojat vazhdojnë të rriten.

“Kuadri ligjor dhe hapat që janë ndërmarrë deri tani janë për të përgëzuar por nevojat gjithmonë e më shumë shtohen ashtu dhe kërkesat dhe duam integrim të plotë, të ofrohen mundësi të dedikuara për fëmijët. Është një kategori që vërtet kanë nevojë dhe ka marrë vëmendjen e shtetit dhe institucioneve por kategoria e prindërve aktualisht është e pambështetur”, tha psikologia.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›