E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banesat sociale. Si duhet të plotësohet formulari për aplikim në Bashkinë e Tiranës

Kategoritë që kanë më tepër përparësi për tu trajtuar nga Bashkia me strehim. Dokumentet që duhet të dorëzohen pranë Drejtorisë së Strehimit Social

Emanuela Sako
Për t’u bërë pjesë e përfitimit të banesave sociale me kosto të ulët, të gjithë qytetarët duhet të aplikojnë sipas procedurave të përcaktuara nga Bashkia e Tiranës. Të interesuarit duhet të plotësojnë një formular me të gjitha të dhënat e sakta për të ardhurat familjare, punësimin, vendbanimin etj. dhe duhet ta dorëzojnë atë pranë drejtorisë përkatëse në Bashkinë e Tiranës. Qytetarët që plotësojnë kriteret për të marrë një banesë sociale do të përzgjidhen nga punonjësit e Bashkisë, duke marrë parasysh të dhënat që kanë deklaruar për veten e tyre. Në 2010-n, pasi të kenë mbaruar ndërtimet pranë Fonder-Mek në Shkozë, do të fillojnë të hyjnë në banesat e tyre. Familjarët që do të trajtohen me bonus strehimi duhet të marrin një nga shtëpitë që Bashkia e Tiranës po ndërton. Banesa do të jepet nga Bashkia e Tiranës me një kosto më të ulët nga sa mund të gjendet në treg.
Formulari
Aplikimi kryhet nëpërmjet një formulari që mund të tërhiqet në Zyrën e Informimit për Qytetarët pranë Bashkisë së Tiranës ose në Njësitë Bashkiake ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular duhet të plotësohet me vërtetësi në të gjitha fushat ku plotësohet dhe më pas të noterizohet. Më pas, Njësia Bashkiake përkatëse i përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës. Kriteret që duhet të plotësohen për t’u klasifikuar dhe për t’u trajtuar me programet sociale të strehimit janë disa dhe tregojnë pamundësitë e familjeve për të jetuar. Kështu, familjet që me vendim të Këshillit Bashkiak klasifikohen për t’u trajtuar me një nga programet sociale të strehimit janë familjet që nuk kanë në pronësi një banesë; që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike ku bëjnë pjesë këto familje; ato familje që kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore. Në këtë skemë përfshihen gjithashtu edhe ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme. Bashkia e Tiranës ofron mundësinë e trajtimit me bonus qiraje për qytetarët që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut deri në momentin e trajtimit përfundimtar me strehim. Bonusi nënkupton pagimin e një pjese të qirasë që paguan kjo kategori qytetarësh (familje që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut). Masa e pagesës që do të përfitojë familja do të llogaritet duke u bazuar tek aftësia paguese e familjes (të ardhurat totale të familjes) dhe masa e qirasë që paguan kjo e fundit.
Dokumentacioni
Dokumentacioni që duhet dorëzuar për të përfituar bonusin e qirasë është i detajuar dhe me një seri dokumentesh. Për të qenë pjesë e skemës së përfitimit të qirasë, duhet të dorëzohen 21 dokumente. Dokumentet që duhet të dorëzohen janë: një certifikatë e përbërjes familjare e vitit 1992, certifikatë aktuale e përbërjes familjare, certifikatë lindjeje personale e aplikuesit, vërtetim banimi nga njësia bashkiake ku kërkon strehim ose lejen e banimit për fëmijët që kanë lëvizur nga zonat e tjera të vendit, vërtetim të ardhurash (neto të familjes), vërtetim page për aplikantin dhe pjesëtarët e familjes. Po kështu, dokumentacion nga organet tatimore dhe sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, kur njëri nga anëtarët është i vetëpunësuar etj.

Ndërtesat që do të ngrihen për strehimin social

Projekti parashikon të ngrihen 4 blloqe banimi me 393 apartamente. Dhomat do të jenë të tipit garsoniere, por parashikohet të ketë banesa më të mëdha në bazë të numrit të familjarëve që do të jetojnë në to. Kështu, përveç garsoniereve, apartamentet e tjera do të jenë 2 + 1 apo 3 + 1. Pallatet do të jenë 6-katëshe, ku kati i parë do të jetë për shërbime të ndryshme, si kopshte, çerdhe, dyqane ushqimesh, veshjesh etj. Për shkak të kostos së lartë që kërkon ndërtimi i pallateve, këto ndërtesa nuk do të kenë ashensor dhe as parking në bodrumin e pallatit. Programi i strehimit është 10-vjeçar, ndërsa të gjitha familjet që do të strehohen kanë të drejtë të rrinë deri në 10 vjet. Më pas do të jetë Bashkia ajo që do të vendosë nëse këto banesa do të kalojnë në pronësi të familjarëve apo do të jepen sërish me qira. Qiraja që do të paguajnë qytetarët do të jetë e ulët, por ajo do të vendoset më pas dhe në bazë të deklarimit të kushteve të jetesës dhe punësimit që do të tregojnë qytetarët gjatë aplikimit.

Dokumentacioni

Certifikatë e përbërjes familjare të vitit 1992,
Certifikatë aktuale të përbërjes familjare,
Certifikatë lindjeje personale të aplikuesit,.
Vërtetim banimi nga Njësia Bashkiake ku kërkon strehim ose lejen e banimit për fëmijët që kanë lëvizur nga zonat e tjera të vendit,
Vërtetim të ardhurash (neto të familjes),
Vërtetim page për aplikantin si dhe për të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes që janë në marrëdhënie pune,
Dokumentacion nga organet tatimore dhe sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve kur njeri nga anëtarët është i vetëpunësuar,
Vërtetim nga Zyra e Ndihmës Ekonomike nga Njësia Bashkiake nëse përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike,
Vërtetim nga Zyra e Punës për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë,
Vërtetim nga Sigurimet Shoqërore për personat e dalë në pension,
Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për sipërfaqen e pronës, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e lejuara të strehimit,
Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Palejueshme të vendit të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret për strehim për familjet që kanë ndryshuar vendbanimin për efekt punësimi,
Dokumentet zyrtare të celebrimit dhe certifikatën personale për efekt të llogaritjes së moshës për çiftet e reja,
Vendim gjykate për fëmijet në ngarkim për çiftet e divorcuara,
Vërtetim të statusit të jetimit, në ato raste kur e gëzojnë këtë status,
Vendim nga Komisioni Mjekësor për personat me aftësi të kufizuara, të cilët trajtohen sipas pikës d ,neni 5 i Ligjit Nr.9232, datë 13.05.2004,
Vërtetim nga Kadastra e Rrethit nëse ka përfituar ose jo nga Ligji Nr. 7501, "Për tokën", për të gjithë pjesëtarët madhorë të familjes.
Vërtetim nga Zyra e Tatim-Taksave nëse është ose jo subjekt i taksës së vlerës së shtuar për të gjithë anëtarët e familjes,
Vërtetim nga Zyra e Urbanistikës pranë Bashkisë së Tiranës, llogarisë dhe hipotekës nëse ka blerë ose jo truall nga shteti për ndërtim banese, për të gjithë anëtarët e familjes,
Deklaratë personale e noterizuar ku përfshihen të gjitha pikat e mësipërme.

2 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›