Bangladesh protesta e dhunshme e grupit islamik Hefazat

Daka, kryeqyteti i Bangladeshit ka qenë sërish një skenë dhune si pasojë e një manifestimi ku kanë marrë pjesë rreth 500 mijë mbështetës të grupit islamik Hefazat. Lëvizja, e mbështetur nga shkollat fetare ka kërkuar një islamizim radikal të vendit, dhe ka kërcënuar se do të protestojë e do të bllokojë kryeqytetin deri sa qeverie të pranojë listën me 13 kërkesat e tyre. Mes tyre është dhe hyrja në fuqi e dënimit me vdekje për krime si blasfemia dhe ateizmi, intimiteti mes burrave dhe grave si dhe ndalimi i infiltrimeve të kulturave të huaja në shkolla. Manifestuesit kanë marshuar në gjashtë nga rrugët kryesore të kryeqytetit. Gjatë marshimit protestuesit kanë shkatërruar me qindra dyqane dhe u kanë vënë flakën 50 automjeteve të parkuara, si dhe kanë sulmuar selinë qendrore të Ligës Popullore në pushtet.