Bangladeshi paralajmëron për klimën
Duke folur para samitit për klimën që zhvillohet në Kopenhagen, ministri i Financave të Bangladeshit, u bëri thirrje vendeve të pasura perëndimore që të pranojnë miliona njerëz të shpërngulur.
Në një intervistë dhënë gazetës britanike Guardian, Abdul Muhith tha se deri në 20 milion vetë nga Bangladeshi mund të detyrohen të lënë shtëpitë e tyre në 40 vitet e ardhshme.
Shpërngulja do të vijë si pasojë e rritjes së nivelit të detit.
Ministri tha se vendi i tij nuk kishte mundësi t'i akomodonte miliona të shpërngulur.
Shkencëtarët e klimës besojnë se Bangladeshi mund të jetë një prej vendeve që do të vuaj pasojat më të rënda nga ngritja e nivelit të detit.
Bregdeti i vendit është i ulët dhe me popullsi të dendur.
Qeveria thotë se miliona vetë mund të detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre, nëse parashikimet vërtetohen dhe paralajmëron se thjesht nuk ka burimet për t'i ndihmuar të gjithë.
Për shkak të migracionit nga fshati tejet i varfër, Daka është një prej qyteteve më të mbipopulluara të botës.
Në fillim të javës qeveria tha se do të ketë nevojë për 10 miliard dollarë për të përballuar pasojat e ndryshimit të klimës.