E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi: Perëndimi do të vazhdojë sulmet mbi Gadafin

Perëndimi do të vazhdojë sulmet ajrore kundër trupave qeveritare dhe objektivave të tjera në Libi, por nuk është marrë vendim nëse do të armatosë forcat rebele. Takimi ku u mor vendimi u zhvillua dje në Londër, ndërkohë që forcat besnike të udhëheqësit libian Moamar Gadafi i detyruan rebelët të tërhiqeshin në Bin Xhiuad, qytet bregdetar pranë qytetit Sirte, vendlindja e Gadafit. Tanket dhe predhat e qeverisë goditën forcat rebele në Bin Xhiuad, ndërkohë që rebelët marshonin drejt Sirtes, duke i detyruar ata të tërhiqeshin drejt lindjes. Forcat pro-Gadafit luftuan me rebelët edhe në zona të tjera të Libisë dhe në kryeqytetin Tripoli u dëgjuan disa shpërthime të forta. Në Londër, rreth 40 ministra të Jashtëm diskutuan mbi të ardhmen politike të Libisë pa Gadafin. Sekretari i Jashtëm britanik Uilliam Hejg tha: “Kemi rënë dakord të kërkojmë nga OKB-ja dhe organizatat rajonale sanksione të tjera ndaj individëve dhe organizmave që kanë lidhje me regjimin. Pjesëmarrësit këtu po i zbatojnë këto masa si mesazh i qartë për Gadafin, se ai nuk mund t’i sulmojë civilët pa mëshirë.” Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, e mbrojti pjesëmarrjen e Amerikës në fushatën ushtarake kundër Gadafit. “Kemi parandaluar masakrën në Bengazi dhe avancimin ushtarak nga perëndimi drejt lindjes, dhe kemi dërguar një mesazh të qartë përmes vullnetit të komunitetit ndërkombëtar, për të zbatuar zonën e ndalim-fluturimeve dhe mbrojtur civilët. Kemi treguar se ajo sjellje mizore nga një udhëheqës kundrejt popullit të vet nuk do të tolerohet.” Në Uashington, admirali Xhejms Stavridis u tha ligjvënësve në senat se raportet e zbulimit tregonin mundësinë e lidhjeve të al-Kaidës dhe Hezbollahut me rebelët libianë, por ai hodhi poshtë mundësinë e një lidhjeje të ngushtë. Stavridis është Komandanti i Suprem i Aleancës së NATO-s në Europë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›