E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore e rendit Shqipëriënë si vendi më i korruptuar në rajon

Rreth 50 për qind e bizneseve paguajnë ryshfet në vend të barrës fiskale

Korrupsioni në Shqipëri mbetet në nivele shqetësuese. Rreth 50 për qind bizneseve që përfaqësojnë firmat ne vend thonë se paguajnë ryshfet të lartë në administratë. Barra e ryshfetet llogaritet sa 10 për qind e xhiros së biznesit. Këto janë përfundimet e Bankës Botërore

pas një studimi të kryer në Shqipëri të fokusuar në marrëdhëniet e biznesit me administratën. Sipas Bankës Botërore, pavarësisht reformave të ndërmarra për reduktimin e korrupsionit, sërish Shqipëria mbetet vendi me nivelin më të lartë në rajon. Por jo vetëm korrupsioni, por edhe qeverisja nuk është në nivelin e duhur për të realizuar objektivat e një vendi kandidat për në BE. Në bazë të këtij raporti, është arritur në konkluzionin se niveli i ryshfetit që paguajnë bizneset në raport me xhiron është i lartë.

Deklarata
"Shteti ligjor dhe mbajtja nën kontroll e korrupsionit mbeten aspektet më të dobëta të qeverisjes në Shqipëri dhe ato kufizojnë arritjen e objektivave për zhvillimin e vendit. Afro 50 për qind e të anketuarve, që përfaqësojnë firmat në vend, thonë se paguajnë ryshfet të lartë në administratë. E thënë në përqindje të xhiros, rezulton se 10 për qind e saj paguhet nën dorë në formë takse," u shpreh Clelia Rontoyanni, specialiste e sektorit publik në BB. Më tej, në raport evidentohet se bizneset janë të qarta se në sektorët ku korrupsioni është i lartë ata parapërgatiten për të paguar në mënyrë informale. Sektori problematik që prekin qytetarët janë shëndetësia dhe drejtësia. Megjithatë për sa u përket shqiptarëve ata janë shprehur optimist se integrimi në Bashkimin Evropian do të përmirësojë qeverisjen në vend.


Qeverisja
Përmirësimet e qeverisjes kanë qenë faktor kyç për rritjen ekonomike të Shqipërisë, por shteti ligjor dhe mbajtja nën kontroll të korrupsionit, ngelen pika të dobëta në qeverisjen e vendit. Clelia Rontoyanni, eksperte e Bankës Botërore, tha në prezantimin e saj gjatë konferencës së Bankës Botërore mbi Zhvillimin Ekonomik se mungesa e stabilitetit politik, është gjithashtu një kufizim madhor për rritjen ekonomike. Shteti ligjor ka shënuar arritje mbresëlënëse në rendin dhe sigurinë publike, por ngelen ende probleme. Kuadri ligjor dhe praktikat administrative që nuk përputhen krijojnë mundësi për korrupsion. Ekziston një nivel i ulët sigurie se aktet ligjore dhe nënligjore do të zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme. Mbrojtja e të drejtave të pasurive të paluajtshme është e dobët, për shkak të regjistrimit jot ë plotë të titujve të pronësisë, përqindjen e lartë të pasurive të paregjistruara dhe praktikave jot ë njëtrajtshme për dhënien e lejeve të ndërtimit, u shpreh Clelia Rontoyanni. Në prezantimin e saj, Rontoyanni theksoi se janë përmirësuar shumë aspekte të klimës së biznesit dhe po përmirësohet besimi te gjykatat, por nga ana tjetër kujdesi shëndetësor mbetet shërbimi publik më i prekur nga korrupsioni.


Kritikat
Një ditë më parë Banka Botërore kritikoi dhe punën e Ministrisë së Financave. Kur vendet me të ardhura mesatare arrijnë një nivel borxhi nga 40 në 60 për qind, bëhet subjekt i asaj që ne e quajmë rreziku i borxhit, deklaroi kryeekonomisti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë, Intermit Gill. Sipas tij niveli i borxhit publik në Shqipëri është shqetësues. Dikush mund të shohë nivelet e borxhit në vendet e zhvilluara të cilat janë edhe mbi 100 për qind dhe mund të thotë se pse edhe vendet si Shqipëria nuk mund të kenë një borxh të lartë. Eksperienca tregon se vendet në zhvillim me të ardhura mesatare nuk mund të tolerojnë nivele të larta borxhi. Dhe në rastin e Shqipërisë duhet të bëhet shumë kujdes sepse niveli i borxhit në Shqipëri është shumë më i lartë nga fqinjët tuaj të rajonit, u shpreh Gill. Sipas përfaqësuesit të Bankës Botërore, menaxhimi i financave publike paralajmëron se viti 2010 do të jetë i vështirë dhe se ecuria e ekonomisë në çdo vend do të varet kryesisht nga mënyra se si qeveritë do administrojnë financat publike.

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›