E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset, apel politikës për të votuar Gjykatën Administrative

Bizneset i kërkojnë Parlamentit të miratojë ligjin mbi Gjykatat Administrative. Në emër të 35 organizatave të biznesit dhe të shoqërisë civile që bëjnë pjesë në Koalicionin në Përkrahje të Gjykatave Administrative, i kërkojmë Parlamentit shqiptar që të marrë

në shqyrtim në seancë plenare dhe të miratojë sa më shpejt ligjin për Gjykatat Administrative, duke qene se janë plotësuar të gjitha kushtet për këtë. Duam të theksojmë se projekt-ligji për Gjykatat Administrative që ka në dorë Parlamenti shqiptar gëzon përkrahjen e plotë të komunitetit të biznesit dhe është përgatitur me mbështetjen e programeve të ndihmës teknike të financuara nga Bashkimi Europian dhe qeveria amerikane. Përfaqësues të këtyre programeve kanë përkrahur publikisht krijimin e Gjykatave Administrative në Shqipëri. Projekt-ligji për këto gjykata, në formën aktuale, reflekton thuajse të gjitha sugjerimet e bëra nga ekspertë të qeverisë, të opozitës, të komunitetit të biznesit, si dhe ekspertë ndërkombëtarë, thuhet në letrën e biznesit.Sipas tyre miratimi i ligjit do ti hapë rrugën ngritjes së sistemit të Gjykatave Administrative, një institucion, të cilin bizneset dhe qytetarët shqiptarë e kërkojnë që prej gjashtë vjetësh. Ndërsa ngritja e këtij sistemi modern gjykatash do të bëjë të mundur trajtimin në mënyrë efektive dhe të drejtë nga gjykatës të specializuar të mosmarrëveshjeve mes individëve apo organizatave dhe institucioneve publike qendrore e vendore. Ngritja e Gjykatave Administrative do të sjellë përfitime konkrete dhe të rëndësishme për të gjithë qytetarët dhe veçanërisht për bizneset, duke pasur parasysh se mosmarrëveshjet administrative përfshijnë si ato në fushën e tatimeve, regjistrimit të biznesit, licencave apo prokurimeve, edhe mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me punësimin, pensionet dhe regjistrimin e pasurive. Krijimi i këtyre gjykatave do të mbështesë edhe reformën në sistemin shqiptar të drejtësisë dhe do të kontribuojë në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare në këtë fushë, deklaron biznesi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›