E Diel, 1 Nëntor 2026

G 20, negociata për marrëveshjet mbi bankat

Ministrat e Financave të 20 vendeve më të industrializuara apo në zhvillim të globit, së bashku me krerët respektivë të bankave qendrore, do të mblidhen në Busan të Koresë së Jugut këtë fundjavë për të diskutuar progresin në zbatimin e zotimit të tyre për

ta bërë sistemin financiar një sistem më të sigurt. Liderët e këtyre vendeve kanë rënë dakord se bankat duhet të shtrëngohen të paguajnë për procesin e shpëtimit në të ardhmen nga krizat financiare, në mënyrë që ato të mos përdorin më paratë e taksapaguesve të vendeve të tyre në këtë proces. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka propozuar dy taksa të reja mbi bankat; njëra prej tyre është kontributi financiar i stabilitetit, që do të lidhet me mekanizmin e shpëtimit për pagimin e kostove financiare të çfarëdolloj procesi shpëtimi nga ana e qeverive respektive në këtë sektor. FMN-ja thotë se çfarëdolloj kontributi i mëtejshëm, në rast se dëshirohet, duhet të arrihet nga taksimi i aktivitetit financiar, i cili do të vendoset dhe do të llogaritet në kurriz të institucioneve financiare. Kjo taksë mund të grumbullojë një shumë të barazvlershme me 0,2 deri 0,4 për qind të prodhimit të brendshëm të çdo vendi, ndërsa taksa e parë mund të sigurojë një fond të barazvlershëm me 2 deri 4 për qind të PBB-ve respektive.

Rritet indeksi i çmimeve në Eurozonë
Indeksi i çmimeve të prodhuesve PPI për eurozonën u rrit në prill, për të shtatin muaj rresht, dhe kjo rritje ishte më tepër nga parashikimet. Fitimet më të mëdha erdhën nga komponentët kryesorë të indeksit, raportoi të mërkurën Eurostat-i, zyra e BE-së për statistikat. Rritja mujore me 0,9 për qind, më e larta që prej korrikut 2008, i çoi çmimet 2,8 për qind më lart në bazë vjetore, fitimi më i madh ky që prej nëntorit 2008. Me çmimet e naftës Brent të Londrës, që kanë fituar afërsisht 7,5 për qind mes muajve mars e prill, duke shënuar një rritje 70 për qind për këtë vit, efekti rritës i energjisë mbi indeksin PPI është i dukshëm. Duke përjashtuar energjinë, e cila u rrit 1,9 % në bazë mujore dhe 7,7 % në bazë vjetore, indeksi bazë PPI u rrit 0,5 % në bazë mujore dhe 1 % më shumë krahasuar me prillin 2009. Prodhuesit e cituar në sondazhin e majit për indeksin menaxherial të blerjeve, PMI, raportuan se çmimet e energjisë dhe mallrave të tjera parësore më të shtrenjta, të kombinuara me euron e dobësuar, e kanë shtyrë inflacionin e çmimeve të mallrave hyrëse në nivelin më të lartë, që prej korrikut 2008. Po ashtu, u raportua edhe rritja e mëtejshme e çmimeve të mallrave dalëse.

Prodhimi zbut rënien e Eurozonës
Uzinat anembanë globit e kanë fashitur deri më tani stuhinë që kërcënon ekonominë e eurozonës, të paktën kështu sugjerojnë të dhënat e publikuara këtë javë. Një tregues kyç i shëndetit të sektorit të prodhimit industrial amerikan tregoi se ky sektor shënoi muajin e 10-të rresht të zgjerimit dhe i tejkaloi pritshmëritë e ekonomistëve. Shifrat e prodhimit industrial nga Azia treguan se ritmi i rritjes në këtë sektor u ngadalësua disi në maj, por të dhënat sugjerojnë se përmirësimi i ndjeshëm i kushteve të biznesit aziatik është me baza të qëndrueshme, krahasuar me periudhën e fillimit të krizës financiare. Indeksi i përbërë i aktivitetit të biznesit, publikuar nga Instituti amerikan i Menaxhimit të Ofertave, ra lehtë në kuotën 59,7 pikë në muajin maj, krahasuar me 60,4 pikët që ishte në prill. Analistët prisnin një rënie në kuotën 59,5 pikë. Ekonomistët thonë se shifrat e majit janë në linjë me rritjen e përgjithshme të prodhimit të brendshëm bruto prej 5,5 deri 6 për qind, shumë më lart nga mesatarja afatgjatë amerikane. Në mënyrë të habitshme, zëri i këtij indeksi, i cili mat porositë e reja për eksport, u rrit në maja të reja 20-vjeçare në kuotën 62 pikë, nga 61 që ishte muajin e kaluar, dhe kjo pavarësisht forcimit të dollarit dhe kërcënimit për kërkesën përtej detit, e shkaktuar nga kriza ekonomike greke.

Last Updated on E Merkure, 02 Qershor 2010 21:57

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›