E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga takohet me guvernatorin e Iowa–s, Terry Branstad

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga , në përfundim të vizitës së saj në shtetin amerikan të Iowa-s, pati një takim përmbyllës me guvernatorin, Terry Branstad, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, për këmbimin e përvojave dhe sidomos biseduan për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, të agrikulturës dhe të energjetikës si dhe në bashkëpunimin në fushën e arsimit.

Jahjaga, e cila foli për bashkëpunimin e mirë ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili bashkëpunim do të konkretizohet edhe pasi të përmbushen kapacitetet operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha se ky shembull duhet të zhvillohet edhe në fushën e ekonomisë dhe në këmbimin tregtar, sidomos në fushën e agrikulturës dhe në fushën e energjetikës në të cilat shteti i Iowa-s, ka arritur rezultate të lakmueshme.

Guvernatori Branstad falënderoi presidenten për vizitën e bërë shtetit të Iowa-s duke theksuar se kjo është vizita e parë e një presidenti të një shteti që i bënë shtetit të Iowa-s, për çka ai dhe qytetarët e ndiejnë veten shumë të nderuar.

Guvernatori Branstad tha se këto dy vende kanë ngjashmëri, por edhe dallime të cilat duhet të shfrytëzohen në bashkëpunimin ekonomik dhe në këmbimin tregtar. Ai i ofroi presidentes Jahjaga përkrahjen, duke angazhuar për vizitat e ndërsjella të delegacioneve të ndryshme të dy shteteve tona.

Presidentja e Republikës së Kosovës e vizitoi edhe Gjykatën e Apelit të shtetit të Iowa-s, ku u takua me kryegjyqtarin Larry J. Eisenhauer dhe me gjyqtarët e kësaj gjykate.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›