E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feith: Jo dhunë, jo ndarje, jo konflikt

Përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur në Kosovë më 13 shtator do të dërgojë një mesazh suksesi në rajon e në vendet e tjera të përfshira në konflikte, thotë Pieter Feith, përfaqësues i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ZCN) në Kosovë. “Ajo do të shërbejë gjithashtu si një shembull bashkëpunimi mes vendasve e komunitetit ndërkombëtar”.

ZCN u hap më 2008 për të mbikëqyrur zbatimin e statusit të Kosovës e për të ndihmuar institucionet vendore në procesin e integrimit në BE.

Përfaqësuesi i zyrës është “autoriteti përfundimtar për interpretimin” e Planit Ahtisaari - propozimi që mbulon çështjet që lidhen me procesin e statusit të Kosovës - dhe ka “aftësinë që të anulojë vendimet ose ligjet e miratuara nga autoritetet e Kosovës dhe të sanksionojë e të heqë zyrtarë publikë, veprimet e të cilëve i gjykon si të papërputhshme” me Planin.

Megjithatë, pavarësisht nga përparimi i bërë që lejoi tërheqjen e ZCN-së, vendi vazhdon të përballet me pengesa drejt rrugës së tij të integrimit.

“Shpresojmë që Kosova së shpejti të integrohet plotësisht në rajon, por kjo është diçka që Bashkimi Evropian do të duhet të lehtësojë - ende do të vazhdojmë të përballemi me sfidën e qëndresës së serbëve. Jam shumë pozitiv në lidhje me të ardhmen evropiane të Kosovës”, tha Feith për SETimes.

Është e rëndësishme që Kosova të lehtësojë kontaktet me komunitetin serb në veri të Kosovës për të zgjidhur bllokimin atje. Zgjidhja, tha Feith, duhet të bazohet në tri parime kryesore: dhuna nuk duhet të tolerohet, vendi të mos ndahet e veriu të mos përfundojë si një konflikt i ftohtë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›