E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Qendrore Europiane dhe besimi i tregjeve globale

16-11-2012 / Nga Ilirian Dahri

“Nuk na duket se ky propozim i ri i Bashkimit Europian mund të jetë një kontribut pozitiv për një kompromis me të cilin të gjithë duhet të jenë dakord, madje është një hap mbrapa që nuk na afron me pozicionin e shteteve anëtare» - kështu ka deklaruar përfaqësuesi italian Ferdinando Nelli Feroçi, për propozimin e presidencës së Bashkimit Europian për bilancin europian 2014 – 2020. Në fakt presidenca e Bashkimit Europian  ka propozuar një shkurtim prej rreth 80 miliardë eurosh nga shuma e parashikuar nga Komisioni Europian për bilancin 2014 -2020. Nga ana tjetër ekspertët e vendit fqinj të Italisë kanë ngulmuar se Italia nuk ka kërkuar një shkurtim të bilancit europian. “Do të vlerësoj kufirin e propozuar nga presidenca e Bashkimit Europian në bazë të rezultateve të vendit” - sepse sipas përfaqësuesit italian ky vend merr më pak nga ajo që arrin të japë. “Ndërsa pritet që të afrohemi, kushtet për një marrëveshje largohen, ka hapa pas që mund të shpien në një rënie të madhe të burimeve për Italinë” - ka vazhduar përfaqësuesi italian duke folur më pas edhe për agrikulturën e cila “vetëm pjesërisht është marrë në konsideratë me efekte të rënda për efektin e mekanizmit të konvergjencës të ndihmave direkte të ndërfutura nga Komisioni”. Por edhe vende të tjera të Bashkimit Europian kanë “protestuar” ndaj propozimit të Van Rompuy siç është rasti i vendeve si Franca dhe Suedia. Që Europa ka probleme kjo tashmë është e qartë por në të njëjtën kohë vetë ajo që e ka krijuar këtë situatë  mund ta zgjidhë krizën.  Sipas disa analistëve europianë “ekonomia ka shpërthyer, nuk ka më forcë dhe nuk jep dot shpjegime sesi kjo ka mundur të ndodhë”.  Por nga ana tjetër prespektiva për monedhën euro po aq edhe për eurozonën është ende e  paqartë megjithëse  ngjarjet e fundit të Bankës Qëndrore Europiane dhe tregjet financiare globale kanë treguar se e ardhmja e monedhës euro do të jetë pozitive. Banka qëndrore europiane ka premtuar të blejë titujt shtetërorë italianë dhe spanjollë për të mbajtur të ulët taksën e interesit me kusht që këto vende të kërkojnë një hapje për një linjë kredie në Mekanizmin Europian të Stabilitetit. Ndoshta kur tregjet do të jenë në gjendje të shikojnë skenarë të tjerë mund të ulen taksat e interesit mbi borxhin sovran italian. Nuk është e njëjta situatë për një vend tjetër anëtar të Bashkimit Europian si Spanja ku ka patur rritje taksash madje edhe parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar flasin për një situatë tërësisht të kundërt me atë  italiane. Nganjëherë duket se fatet e Europës të cilat duhet t’i zgjidhë vetë Bashkimi Europian kërkojnë t’i zgjidhin vende të tjera të cilat deri jo shumë kohë më parë cilësoheshin si Aksi i të keqes. Pikërisht në Itali, në politeknikumin e Milanos  shumë ekonomistë dhe inxhinjerë kanë dëgjuar ‘udhëzimet’ e presidentit të Ekuadorit, Korrea, i cili është  president i Ekuadorit që prej janarit të viti 2007, dhe që do të kandidojë përsëri në zgjedhjet që do të zhvillohen në muajin shkurt. Presidenti ka theksuar se vendi i tij është një prej ekonomive më dinamike të Amerikës Latine, që në vitin 2011 ka patur një rritje me 7,8%, ndërsa borxhi i jashtëm është ulur nga 17,4 në 13,6 miliardë dollarë. “Kemi ngulmuar  duke shfrytëzuar burimet tona dhe duke rinegociuar për borxhin. Në këtë situatë kemi merituar edhe besimin e ivnestitorëve ndërkombëtarë”. Në fakt një prej bankave më të fuqishme braziliane Bndes ka firmosur një hua prej 90,2 milionë dollarësh për të financuar një impiant hidroelektrik në Ekuador.  Nga ana tjetër,  Ekuadori përshkruhej si një “vend i papërgjegjshëm” madje i cilësuar si anëtar i Aksit të së keqes sepse qeveria ekuadoriane kishte deklaruar se nuk do të paguante një pjesë të borxhit të saj. Ende shumë vende europiane dhe natyrisht edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shikojnë me mosbesim marrëveshjet ekonomike që qeveria ekuadoriane ka firmosur me Iranin dhe Venezuelën. “Jemi një Shtet Sovran, zgjedhjet e politikës tregtare duhen respektuar edhe sepse pikërisht këto vende që na akuzojnë se i përkasim Aksit të së keqes hapin amabasada dhe kryejnë marrëveshje me vendet prej të cilave duhet të qëndrojmë larg”. Nga ana tjetër nuk dihet ende si do të përfundojë historia e Julian Asange hacker -it australian që ka zbuluar sekretet e diplomacisë botërore dhe që është në ambasadën ekuadoriane në Londër. Sipas presidentit të Ekuadorit “varet shumë nga Britania e Madhe dhe nga Suedia, por edhe nga avokati mbrojtës. Ne jemi kufizuar për të mbrojtur të drejtat njerëzore të një individi që është në rrezik për jetën”. Ndërkaq vazhdon të rrisë bashkëpunimin  me vende si Irani apo Venezuela dhe të  ‘udhëzojë’ ekonomitë e vendeve europiane.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›