E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti Evropian: Gati rezoluta e statusit, por të mos bllokohen ligjet

16-11-2012 / Gazeta 55

Parlamenti Evropian ka mirëpritur raportin e eurodeputetit Nikolaos Chountis, i cili rekomandon marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, dhjetorin e këtij viti. Europarlamentari Kukan deklaron se vendi e meriton statusi, ndërkohë që ka konsensus në apelin drejtuar opozitës që të mos i bllokojë 3 ligjet finale

Parlamenti Europian i ka bërë thirrje palëve politike në Shqipëri të arrijnë konsensus për të përmbushur reformat e kërkuara për integrimin. Këto thirrje i bëri gjatë shqyrtimit të raportit të eurodeputetit Nikolaos Chountis për Shqipërinë.
Europarlamentari Eduard Kukan, njëkohësisht dhe kreu i delegacionit të PE, për Evropën Juglindore u shpreh se ka nevojë për prova nga pala shqiptare për të kapërcyer skepticizmin e tij.
Europarlamentari Nikolaos Chountis tha se klima politike në Shqipëri ka shumë problematike dhe sipas tij  tre ligjet  duhet të miratohen në mënyrë që vendi ynë të marrë statusin kandidat. “Duhet të arrihet një marrëveshje mes palëve politike, kjo është ajo që i bëj thirrje të dyja palëve që të gjejë një zgjidhje sepse ekziston një kompromis për këtë çështje. Opozita duhet ti përkrah ligjet dhe mazhoranca duhet ta mirëkuptojë opozitën. Nuk do të ketë progres  ka të ngjarë që vendi  të mos e marrë statusin kandidat. Para zgjedhjeve të 2013-ës, duhet parë progres. Duhen të bëhen zgjedhje të lira në 2013-ën. Duhet të ketë një angazhim të  plotë  nga të dyja palët që vendi të marrë statusin e kandidatit”, theksoi Chountis.
Pas debatit të zhvilluar mbi integrimin europian e Shqipërisë, raportuesi Nikolaos Chountis u shpreh se raporti i tij është një nxitje për forcat politike shqiptare që të mos humbin shansin për marrjen e statusit të kandidatit në dhjetor. Sipas tij, pavarësisht amendamenteve, thelbi është, se te gjitha grupimet i thonë po statusit të kandidatit për Shqipërinë. “Ne kemi pasur një debat të frytshëm mbi amendamentet në gjirin e komisionet të punëve të jashtme. Mendoj, se në tërësi debati dhe amendamentet janë interesante dhe mbi këtë bazë unë do të përmirësoj dhe pasuroj raportin tim mbi Shqipërinë. Të gjitha grupimet politike janë dakord për thelbin që është mbështetja për statusin e kandidatit. Shpresoj të mbarojmë së shpejti dhe ta votojmë raportin final në 22 nëntor në këtë komision dhe më pas në seancën plenare të dhjetorit. Mesazhi im është që forcat politike shqiptare duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të zbatuar të gjitha prioritetet. Në raportin final do të shkruajmë atë që do ndodhi. Unë di që ka një mundësi për qeverinë dhe opozitën për të arritur një marrëveshje sa më shpejt. Shpresoj që kjo të ndodhë”, shprehet Nikolaos Chountis.
Ndërkohë, Eduard Kukan shpreh shqetësimin e tij për zvarritjen e përmbushjes së tre kushteve të mbetura dhe i bën thirrje forcave politike të gjejnë pa humbur kohën gjuhën e përbashkët për ligjet e integrimit. “Ne kemi zhvilluar një debat, se si duhet të formulohet versioni final i raportit mbi Shqipërinë. Nuk ka mosmarrëveshje të mëdha mbi këtë. Raporti do të qartësojë qëndrimet e grupeve politike kur amendamentet të pranohen nga të gjithë. Është një mesazh i qartë ndaj politikanëve shqiptarë. Ne po presim plotësimin e 3 kushteve, siç është artikuluar në rekomandimin e Komisionit Europian. Jam i sigurt, se rezoluta e Parlamentit Europian mbi Shqipërinë do të jetë në të njëjtën linjë me atë të Komisionit dhe do të nxisë ata që duan vërtet ta çojnë vendin përpara. Ky është njëkohësisht urimi ynë, por ju duhet të plotësoni 3 kushtet e mbetura. Vetëm atëherë mund të jepet statusi i kandidatit. Këto kushte nuk janë përmbushur deri tani. Ne jemi pak të shqetësuar, se në Kuvendin e Shqipërisë nuk pati marrëveshje lidhur me këtë”, deklaroi Kukan. Sipas eurodeputetëve, marrja e statusit të kandidatit duhet ta nxisin vendin, që të ofrojë sa më shumë rezultatet të prekshme për zhvillimin ekonomik dhe social të qytetarëve të saj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›