E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka Qendrore analizë stabilitetit të sistemit financiar

08/10/2009  Mbledhja e ardhshme

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të diskutojë gjatë mbledhjes së ardhshme projektdeklaratën “Mbi stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri për gjashtëmujorin e parë të vitit 2009”. Burime zyrtare nga institucioni qendror bankar bënë të ditur se do të shqyrtohet edhe projektrregullorja “Për administrimin e rrezikut të likuiditetit”, si dhe ajo “Për regjimin e hyrje - daljeve në objektet e Bankës së Shqipërisë”. Në të njëjtën mbledhje anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës pritet të analizojnë edhe projektin “Për një ndryshim në fondin numizmatik për kartëmonedha dhe monedha metalike të shtypura për qëllime numizmatike”, si dhe do të marrin në shqyrtim informacionin “Për inspektimet e kryera në banka gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009”. Në mbledhjen e fundit Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit. Kjo lëvizje është vazhdim i politikës monetare të kujdesshme të ndjekur nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2009, politikë e cila ka synuar përcjelljen e stimujve të kontrolluar monetarë dhe ruajtjen e pritjeve inflacioniste afër nivelit të synuar prej saj. Sipas burimeve të Bankës Qendrore, zhvillimet e fundit sugjerojnë se tabloja e presioneve inflacioniste po zhvendoset përgjithësisht në kahun rënës. Ecuria e kursit të këmbimit, e pritjeve inflacioniste, si dhe pozicioni fiskal i vendit, do të vazhdojnë të kushtëzojnë balancën e rreziqeve në të ardhmen. Qetësimi i pritshëm i këtyre zhvillimeve në kushtet e një ambienti financiar të stabilizuar mirë, do të krijojë hapësirat e duhura për rritjen e stimulit monetar në ekonomi. Një rrezik në kahun rritës për çmimet e konsumit është përcjellja më e lartë e tendencës së fundit rritëse të çmimeve të lëndëve bazë në tregun botëror.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›