Banka botërore: Rrezik kolapsi si në 2005-ën

Rritja e shpejtë e kredive ka qenë një burim shqetësimi si për autoritetet vendase, ashtu edhe për vëzhguesit e jashtëm. Sipas institucioneve ndërkombëtare, në një situatë ku burimet ekzistuese huadhënës të bankave rriten më shpejt sesa sasia e propozimeve për huamarrje fitimprurëse në ekonomi, konkurrenca mes bankave mund të çojë në të ardhmen në huadhënie me risk më të madh dhe rritje të huave që nuk paguhen. Banka Botërore paralajmëron se brenda dy vitesh (2008-2009), portofoli i kredisë do të rritet 750 miliardë lekë, apo e konvertuar në monedhë të huaj, në 6.2 miliardë euro. Janë këto parashikimet që sjell Banka Botërore në raportin e saj “Aksesi për dhënien e kredive në Shqipëri”, sipas të cilit pritet një dyfishim i portofolit të kredive me 3.2 miliardë euro, që është niveli aktual. Sipas Bankës Botërore, rritja e portofolit të kredive mbart shqetësim dhe mund të krijojë barrë për sistemin bankar. “Pritet një rritje e mëtejshme e kredive, sidomos në kredi korporate dhe konsumatore. Bankat që morën pjesë në vëzhgim kanë bërë parashikime të shumta lidhur me mundësitë për biznes, dhe normat nominale të rritjes janë parashikuar të jenë mesatarisht 28 për qind në vit për një periudhë trevjeçare. Sipas parashikimeve të bankave, rritja e kredive do të nxitet kryesisht nga huadhënia për ndërmarrje të mëdha dhe, në një masë më të vogël, nga kreditë për individë. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe pritet të arrihen norma vjetore të rritjes, përkatësisht prej 35 për qindësh dhe 30 për qindësh. Nga ana tjetër, gjatë kësaj periudhe, kreditë për ndërmarrje të vogla pritet që të rriten me një ritëm shumë më të ulët”, thuhet shprehimisht në raportin e Bankës Botërore.
Kolapsi i kredive në vitin 2005
Dyfishimi i portofolit të kredive ka ndodhur edhe njëherë në periudhën 2001-2005, ku kreditë për sektorin privat janë rritur më shumë në krahasim me pothuajse çdo vend tjetër të rajonit, nga 248 milionë dollarë amerikanë në vitin 2000, në 1.9 miliardë dollarë amerikanë në tetor 2006 (rreth 15 për qind e PBB-së). Rritja e kredive ka qenë veçanërisht e shpejtë gjatë këtyre dy viteve të fundit, konkretisht 70 për qind në vitin 2005 dhe mbi 50 për qind në vitin 2006. Një pjesë e kësaj rritjeje ka pasur të bëjë me privatizimin e Bankës së Kursimeve, e cila e kishte të ndaluar të jepte hua, derisa përpara privatizimit me mbështetjen e Bankës Botërore dhe FMN-së. Në vitin 2005, Programi për Vlerësimin e Sektorit Financiar vuri në dukje se kjo rritje e shpejtë përbënte një risk të mundshëm për sistemin financiar. Programi i përbashkët për Vlerësimin e Sektorit Financiar, Bankë Botërore-FMN, i vitit 2005, përcaktoi se, ndërsa rreziqet për sistemin bankar në atë kohë ishin relativisht të ulëta, rritja e kredive që ndodhi në vitin 2005 (70 për qind), nëse do të vazhdonte, mund t’i krijonte një barrë sistemit bankar. Raporti rekomandonte një numër masash për të rritur kujdesin, për të forcuar kuadrin rregullator dhe për të përmirësuar cilësinë e ndërmjetësimit financiar, përfshirë krijimin e sistemit të informacionit për kreditë dhe përmirësimet lidhur me të drejtat e kreditorëve. Që nga viti 2005, autoritetet kanë zbatuar dhe janë në procesin e zbatimit të një numri masash, përfshirë rritjen e kërkesave për rezerva në depozitat në monedhë të huaj, rritjen e kërkesave për mjaftueshmëri të kapitalit për investime me risk të lartë dhe forcimin e kërkesave për shlyerjen e borxhit ndaj të ardhurave në dispozicion. Po ashtu edhe për primin e riskut për të ashtuquajturin “risk i tërthortë”, me “riskun e këmbimit valutor”, apo dhe përmirësimin e kapaciteteve të tyre, me qëllim për të punuar me mbikëqyrës të huaj. Këto reforma arritën të pakësojnë rritjen agresive të kredive deri në vitin 2007.
Reagimi i BSH-së, pas alarmit të vitit 2005
Autoritetet Qendrore Monetare ka reaguar menjëherë ndaj situatës së vitit 2005, duke vendosur masa të reja më të kujdesshme, që parashtrojnë kërkesa për kapital shtesë ndaj bankave, të cilat shfaqin rritje të shpejtë. Sipas këtyre masave, bankat që shfaqin rritje mbi pragje të caktuara (30 për qind rritje e portofolit të huave, 7 për qind rritje e aktiveve të përgjithshme, ose mbi 7 për qind të huave që nuk paguhen) duhet të hartojnë klauzola për të pasur parasysh një peshë prej 150 për qindësh për të gjithë aktivet mbi pragun.
Parashikimet e BB:
Rritja e kredive
2008 350 miliardë lekë
2009 400 miliardë lekë