Spanja tremb Europën

TIRANË – Spanja vendosi dje me dhunë kandidaturën e saj për kampione të Europës në futboll. “Furitë e kuqe” të plakushit Luis Aragones nuk patën aspak mëshirë për Rusinë duke e mposhtur 4-1 në Insbruk, me dyshen e shkëlqyer të sulmit Torres-Bija, por edhe mesfushorët e mrekullueshëm Shavi Hernandes dhe Iniesta, të dy të Barcelonës.
Kaq shumë mundësi kishte Aragones saqë yje të tillë si Shabi Alonso apo Fabregas u lanë në stol, bashkë me premtues të tjerë si Guisa, Fernando Navarro, Albiol, De la Red etj. kurse një legjendë si ish-kapiteni Raul Gonsales nuk është thirrur fare në Europian. Trajneri iberik zgjodhi boshtin e skuadrës me Kasijasin – Pujolin – Shavi Hernandesin – Iniestën – Torresin – Bijën dhe 90-minutëshi i dha të drejtë.
Hidink duhej të bënte pa Pogrebnjakun dhe Arshavinin, njëri i dëmtuar dhe tjetri i pezulluar dhe zgjodhi të ishte i kujdesshëm vetëm me Pavliuçenkon në sulm. Rusët u përpoqën ta vinin theksin në lojën atletike ku kishin epërsi në fushën e lagur nga shiu të stadiumit “Tivoli”, por talenti dhe aftësia kombinuese e spanollëve ishin shumë për ta. Presioni i Torresit ishte i madh, zotësia e Iniestës për të shërbyer për sulmuesit e pafundme dhe fuqia e mbrojtësve Ramos, Pujol, Marçena e Kapdevija aspak e vogël përballë rusëve të fortë.
Torres dhe Bija iu afruan golit që në 10 minutat e para, pastaj Torres i kapi një top mbrojtësit rus Kolodin dhe shërbeu me zgjuarsi për Bijën që nuk fali. Rusët reaguan dhe Siçev goditi shtyllën 3 minuta më pas, por Spanja ishte gjithnjë gati. Aragones e ka pajisur skuadrën e tij me një kundërsulm të rrufeshëm si ai i vitit 1986 në kohën e Miçelit dhe Butragenjos. Kështu Iniesta shërbeu Bijën që shënoi bukur. Në pjesën e dytë vazhdoi epërsia spanjolle dhe Fabregas thuajse shënoi në 57’, por e ndaloi portieri Akinfejev. Pasi Bija shënoi për 3-0 në 75’ gjithçka përfundoi. Golat e mëpasëm ishin thjesht për të plotësuar skedinën e ndeshjes dhe Spanja shikon tani drejt ndeshjes së dytë me Suedinë, por me mendjen më lart, tek finalja e madhe e 29 qershorit.
Thanë dhe u shprehën
Aragones: Jemi të kënaqur dhe me fat
“Ne jemi të kënaqur. Patëm fat në pjesën e parë dhe pas rezultatit 1-0 i shkaktuam shumë probleme kundërshtarëve. Në fund ne morëm 3 pikët, por na duhet të luajmë sërish pas pak ditësh. Këtu ndodhen skuadrat më të mira të botës, mungojnë vetëm Brazili dhe Argjentina”.
Hidink: Donim fitoren, por ishim naivë
“Nuk e shfrytëzuam aspak zotërimin e topit që patëm. Ne hymë në ndeshje për të fituar, por u ndëshkuam nga gabimet tona naive. Shpresoj që të mësojmë shpejt, madje në pak orë sepse kemi edhe dy ndeshje të tjera të vështira për të luajtur. Gabimet erdhën për mungesë vëmendjeje”.
Spanjë-Rusi 4-1
Spanja: Kasijas, Serhio Ramos, Pujol, Marçena, Kapdevija, Markos Sena, Iniesta (Santi Kasorla 63’), Shavi Hernandes, Silva (Shabi Alonso 77’), Bija, Torres (Fabregas 54’). Tr. Aragones
Rusia: Akinfejev, Aniukov, Kolodin, Shirokov, Zhirkov, Semak, Siçev (Bistrov 46’ (Adamov 70’), Zirianov, Semshov (Torbinski 58’), Bilialetdinov, Pavliuçenko. Tr. Hidink
Shënues: 1-0 Bija 20’, 2-0 Bija 44’, 3-0 Bija 75’, 3-1 Pavliuçenko 86’, 4-1 Fabregas; Të verdha: -; Shikues: 30 000; Gjyqtar: Plauc (Austri)