Banka e Shqipërisë: Aktiviteti ekonomik në vend, në përmirësim

Aktiviteti ekonomik në vend ka ardhur në përmirësim gjatë muajve të verës, pas rënies së fortë të shënuar në tremujorin e dytë.
Banka e Shqipërisë publikoi sot raportin e Polikës Monetare për 3-mujorin IV të vitit 2020 ku thekson se, rikuperimi i ekonomisë gjatë kësaj periudhe pasqyroi lehtësimin e masave të distancimit social dhe mbështetjen e siguruar nga stimuli i gjithanshëm fiskal, monetar e makroprudencial.
Sipas BSH-së, “treguesit e disponuar për aktivitetin ekonomik dhe tregun e punës sinjalizojnë një rikuperim gradual. Ndërsa reduktimi i kufizimeve në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, në vend dhe në botë, ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit, si dhe përmirësimi i lehtë i treguesve të besimit, kanë krijuar premisat e nevojshme për rritjen e ekonomisë në të ardhmen”. Megjithatë, thekson BSH-ja, rikuperimi ekonomik mbetet i brishtë dhe rreziqet janë e pritet të mbeten në kahun e poshtëm.Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerëson se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për të stimuluar nxitjen ekonomike.
“Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur të mbaj të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 0.50%. Kushtet monetare dhe normat e ulëta të interesit ofrojnë mbështetjen e duhur për rritjen ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022”, thekson në raportin e saj BSH.