E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e Shqiperise: Deficitet rriten, kredia më shtrenjtë

Këshilli Mbikëqyrës lë në fuqi normën bazë të interesit, në nivelin e 5,75 përqindëve. Gjatë kësaj periudhe, kredia për ekonominë shënoi ngadalësim të mëtejshëm të ritmit të rritjes 

TIRANE-Ekonomia shqiptare ka njohur një ngadalësim të ritmit të rritjes gjatë tremujorit të parë të vitit, në linjë me zhvillimet në ekonomitë e vendeve të rajonit. Ka qenë ky një ndër konstatimet e raportit mujor të politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, mbledhur dje në Tiranë. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.75 për qind, ndonëse në shumicën e vendeve të botës ky tregues është ulur, për të zbutur pasojat e krizës globale.  "Gjatë kësaj periudhe, kredia për ekonominë shënoi ngadalësim të mëtejshëm të ritmit të rritjes, - thuhet më tej në raport, ku shtohet se, - interesi mesatar për kreditë e reja në lekë në tremujorin e parë ka qenë relativisht më i lartë, duke ndjekur ecurinë e yield-it të bonove të thesarit dhe kushtet e likuiditetit në sistem".

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›