E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, ISHP: Jemi të paprekur nga virusi

Epidemiologu Dritan Ulqinaku deklaroi se sipas analizave pacienti përjashtohet nga dyshimet për virusin e gripit të derrit. Ndërkohë OBSH ka tërhequr vëmendjen që të mos ulet vigjilenca ndaj gripit të derrit 

TIRANE-Instituti i Shëndetit Publik konfirmon zyrtarisht se analizat e pacientit 57 vjeçar të kryera në laborator për virusin AH1N1 të derrit rezultojnë negative. Epidemiologu Dritan Ulqinaku deklaroi se sipas analizave pacienti përjashtohet nga dyshimet për virusin e gripit të derrit. Sipas Ulqinakut, ndonëse nuk ka qenë rasti i parë i dyshuar për gripin e derrave në Shqipëri, pacienti 57 vjecar konsiderohet si më i rëndi për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. "Dje kanë përfunduar analizat e personit i cili dyshohet që ka rezultuar i përjashtuar nga gripi i tipit A ose B po ne kemi një dyshim për viroza të tjera respiratore, të cilat qarkullojnë normalisht në ndërrimin e stinëve dimër-pranverë. Për momentin ne e përjashtojmë gripin e tipit A dhe B", - ka thënë Iris Hatibi, mikrobiologe në ISHP. Ndërkohë burime në spitalin Infektiv të Tiranës konfirmojnë se pacienti 57-vjeçar ka lënë reanimacionin që mbrëmjen e së mërkurës dhe gjendet i shtruar në pavion. Ai po i nënshtrohet ekzaminimeve për të mësuar shkakun e temperaturës së lartë. Mjekët e Infektivit pohojnë se pacienti vuante dhe nga sëmundje të tjera si diabeti por përgjigje më të saktë do të mësohet në orët në vijim. Pacienti u shtrua në urgjencën e spitalit Infektiv e më pas në reanimacion ditën e mërkurë. Ndërkohë OBSH ka tërhequr vëmendjen që të mos ulet vigjilenca ndaj gripit të derrit. "Megjithese deri tani Shqipëria nuk ka ende asnjë rast të shfaqjes së gripit të derrave, duhet që të bëhet kujdes", - ka deklaruar drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Anshu Banerxhi, duke ju referuar rasteve të paraqitura në vendet kufitare me Shqipërinë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›