Banka e Shqipërisë, anulon interesat për euron dhe dollarin ndaj bankave
Me qëllim nxitjen e mëtejshme të ndërmjetësimit në lekë të sistemit bankar, Banka e Shqipërisë ka vendosur të zerojë normën e interesit në euro dhe dollarë të rezervës së detyruar të bankave të nivelit të dytë. Ishte Këshilli Mbikëqyrës, që në mbledhjen e tij të dy ditëve më parë, vendosi të ulë në 0 (zero) për qind normën e komponentit në euro dhe të atij në dollarë të rezervës së detyruar. Ndërkaq, norma e interesit për monedhën kombëtare lekë, mbetet e pa ndryshuar në nivelin 70 për qind të normës bazë të interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të atyre anasjellta të riblerjes. Kjo për shkak se fitimet në euro nuk ndihmojnë ekonominë vendase, përkundrazi depozitohen jashtë kufijve. Sipas bankës Qendrore, ndryshimi i mësipërm në politikën e rezervës së detyruar do të thotë që Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të aplikojë të njëjtat norma të rezervës së detyruar (10% për të gjitha monedhat), por nuk do të paguajë interes mbi komponentin në euro dhe dollar të kësaj rezerve. Vendimi në fjalë, sipas Bankës së Shqipërisë, i shërben të vetmit qëllim, nxitjes së mëtejshme të ndërmjetësimit në lekë të sistemit bankar. Në këtë mënyrë, ai do të ndikojë në rritjen e efektivitetit të politikës monetare, si dhe në kufizimin e pasojave të padëshiruara për sistemin financiar dhe për ekonominë që mund të vijnë si rrjedhojë e përdorimit të valutës. Ndërsa, rezerva e detyruar është një instrument të cilin Banka e Shqipërisë e përdor për të rregulluar aktivitetin në tregun ndërbankar, për të administruar normat e interesit në të, si dhe për të kontrolluar qarkullimin e parasë në ekonomi. Norma e rezervës së detyruar është 10 për qind për depozitat e mbajtura në të gjitha monedhat. Kjo do të thotë se bankat e nivelit të dytë duhet të depozitojnë, në formën e rezervës së detyruar, pranë Bankës së Shqipërisë 10 për qind të vlerës së depozitave të marra nga klientët e tyre. Banka e Shqipërisë mund të paguajë interes për rezervën e detyruar të depozituar pranë saj nga bankat e nivelit të dytë. Në gjuhën teknike, norma e interesit që Banka e Shqipërisë u paguan bankave për rezervën e detyruar, quhet normë e remunerimit. Vendimi i dy ditëve më parë i Këshillit Mbikëqyrës e ul në zero normën e remunerimit për rezervat e detyruara të mbajtura në monedhe të huaj. Ai nuk prek normën e rezervës së detyruar, e cila mbetet në 10 për qind për të gjitha monedhat.