E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këmbimi shtrenjton 5 për qind kreditë në euro

SHKRUAN: Blerina Hoxha 30-04-2011 10:52

Shtrenjtimi i euros kundrejt lekut, veç të tjerash i ka rënduar së tepërmi këto dy muaj pagesat e kësteve të kredisë në euro në bankat e nivelit të dytë. Një euro kushton në agjencitë e këmbimit valutor, nga 142.5 në 142.9 lekë, ndërsa dollari amerikan ka shënuar ulje, duke u këmbyer dje për herë të parë gjatë këtij viti, në kuotën e 95.5 lekëve. Në fillim të janarit, euro këmbehej me 137 lekë. Rritja me 6 pikë, në raport me lekun, ka afektuar shlyerjen e kredive në euro, duke rritur dukshëm kostot e saj. Megjithëse Banka e Shqipërisë e konsideron real kursin e aktual të këmbimit të lekut, efektet negative të tij, sakaq kanë afektuar buxhetin e shtetit, kredimarrësit në euro që marrin paga në lekë dhe konsumatorët e thjeshtë. Këstet e kredisë në euro vetëm gjatë këtyre dy muajve të fundit janë rritur 5-10 për qind, pa marrë parasysh normat e interesit. Kreditimi në valutë tashmë po kthehet në bumerang për qytetarët dhe vetë bankat që kanë dhënë kredi në këtë valutë. Për shkak se, normat e larta të interesit dhe kostot shtesë nga kursi i këmbimi, në shumë raste e kanë bërë të pakthyeshme huanë e dhënë në euro në banka. Buxheti i shtetit nga ana tjetër po vuan pasojat e rritjes së kostos së borxhit të jashtëm. Kursi i këmbimit ka një efekt të drejtpërdrejtë në këtë drejtim, ndërkohë që qeveria pjesën më të madhe të detyrimeve të huaja e ka në euro. Efektet e supereuros kanë afektuar edhe konsumatorin. Për shkak se, mallrat që ata konsumojnë blihen në zonën e euros. Një euro më e shtrenjtë transferohet direkt në çmimet e mallrave të importit, të cilat janë rritur tashmë. Banka e Shqipërisë, duke parë rrezikun e nënçmimit të lekut mori vendimin për heqjen e remunerimit të rezervës së detyruar në valutë. Kjo masë, efektivisht do t’i nxisë bankat tregtare të ulin kostot e mbledhjes së fondeve, duke favorizuar ndërmjetësimin në monedhën vendase. Ritmi i kërkesës për para nga agjentët ekonomikë privatë dhe publikë është rritur. “Përbërësi valutor i ofertës monetare ka dhënë një kontribut në rënie në zgjerimin e parasë së gjerë, por përdorimi i valutës së huaj në nivele të larta në sistemin bankar dhe në ekonomi mbetet një ndër dobësitë e ekonomisë shqiptare”, tha Guvernatori Fullani vetëm dy ditë më parë. Banka e Shqipërisë gjykon se, kursi i këmbimit për të shtatin tremujor radhazi ka reduktuar prirjet e tij nënçmuese. “Analizat tona tregojnë se në tërësi faktorët fondamentalë të ekonomisë po mbështesin një ekuilibër të ri të kursit të këmbimit, i cili dhe pse është më i lartë se tre vite më parë, është në përshtatje të ekuilibrave financiarë dhe ekonomikë në vend, duke mbështetur rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare në tregjet ndërkombëtare”, tha Guvernatori Fullani. Sipas tij, ecuria e qëndrueshme e kursit të këmbimit ka shërbyer për konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar në vend. Sakaq, një euro më e fortë ndikon në rritjen e fitimeve për eksportuesit, të cilët nga shitjet jashtë vendit sjellin fitime më të larta në ekonominë vendase.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›