Banka e Shqipris nuk e ndryshon interesin

Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaroi se “vendimet e saj do të faktorizojnë mbajtjen e pritjeve inflacioniste të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin”.
Banka e Shqipërisë ritheksoi se sipas mendimit të saj, rritja e inflacionit gjatë muajve janar dhe shkurt, është një fenomen kalimtar.
“Aktiviteti ekonomik vlerësohet të ketë regjistruar një ngadalësim progresiv të ritmit të rritjes këto gjashtë muajt e fundit”, u shpreh Fullani.
Interesi bazë Repo në Shqipëri përcakton interesin me të cilin bankat e nivelit të dytë marrin hua apo vendosin depozita te Banka Qendrore.
Duke qenë se Banka Qendrore është operatori më i madh bankar në vend, ky interes ndikon indirekt edhe interesat e kredive e depozitave në lekë, si dhe interesat e borxhit të qeverisë.
Indeksi i çmimeve të Konsumit u rrit në 4.4 për qind në muajin shkurt, si pasojë e rritjes së çmimeve të mallrave të importuara, rritjes së çmimit të energjisë elektrike, zhvlerësimit të lekut dhe politikës fiskale të qeverisë që po mban referenca doganore artificialisht të larta.