Banka vlonjate e 1850-s, një pioniere e sistemit bankar shqiptar
Studiuesi Fahri Shaska pas një kërkimi shumëvjeçar ka nxjerre nga botimi një libër që paraqet interes për shumë si në fushën historike por edhe në atë të ekonomisë. Historiku i bankave në Shqipëri mbetet disi i mjegullt, por të dhënat historike që sjell studiuesi Shaska të përqendrojnë vëmendjen te koha e ngritjes së bankave të para në vend por edhe në qytetin e Vlorës. Autori Shaska shprehet: “Në Londër, nga mesi i sek XIX në vitin 1845 filloi të botohet Almanaku i Bankave. Ky ishte një vëllim voluminoz që përmbante të dhëna historike, teknike mbi bankat, bursën dhe gjithçka lidhej me to në gjithë botën. Ky studim ka vlera historike dhe teknike, ka vlera për të gjithë ata që punojnë në këtë fushë mbasi jep eksperiencën botërore. Anglia si vend i fuqishëm kolonial, tregtar e detar për të zhvilluar ekonomin e saj kishte nevojë për të dhëna të hollësishme, të sakta për zhvillimet në ekonomin botërore. Për këtë qëllim u bashkuan specialistët e ekonomisë, të financave dhe bankier të grumbullonin të dhëna në këtë fushë. Të dhënat përpunoheshin nga specialistët dhe filluan ti botojnë në një vëllim që u quajt almanaku i bankave kjo u bë traditë dhe Almanaku botohej çdo vit. Kemi në dispozicion (biblioteka e familjes Shaska) botimin e 91 të tij, e vitit 1935-1936, një vëllim voluminoz me 2400 faqe. Në faqet e këtij Almanaku jepen të dhëna për të tëra shtetet dhe Bankat në gjithë botën. Në faqet e këtij Almanaku natyrshëm jepen të dhëna edhe për Shqipërinë, për bankën e parë që është bankë private, vitin kur u themelua, vendin ku e kishte qendrën, pronarët dhe aktivitetin, kapitalet etj. ALMANAKU na jep shpjegime për bankën shtetërore, ky botim jep të dhëna deri edhe festat e të gjithë shteteve, për kohën kur botohet. Hollësi të tilla na jep puna e këtij ekipi që në këtë vëllim kryesohet nga Thomas Skinner. Studimi i z Shaska vijon me informata të tjera si: Të pakta janë bankat e çelura nga kompani dhe familje të pasura para vitit 1845. Bankat e para në këtë vëllim figurojnë në Napoli 1539, Frankfod Main 1586. Por disa shtete si Gjermania, Franca, Spanja, Italia, Belgjika, Amerika etj kanë hapur banka private në vitet ‘700 si në Frankfurt të Gjermanisë në 1748, USA Filadelfia 1764, Francë 1774, Spanjë 1776, Belgjikë 1778 etj. Janë më pak se 200 banka për të mbërritur në vitin 1850 kur u hap banka private në Shqipëri.
Banka në Shqipëri është nga bankat e vjetra të Evropës. Banka Qendrore Franceze u hap në 18 janar 1800. Bankat Kombëtare të Ballkanit u hapën: Banka Greke me qendër në Athinë 1841, Hungari-Budapest 1839, 1841, 1844, Bullgari-Sofje 1879, Rumani-Bukuresht 1880, Serbi-1883, Zagreb 1895, Shqipëria 1925, Maqedoni 1929 me qendër në Sofje. Janë mijëra banka që ka regjistruar Almanaku dhe Banka private “Bezhani” është nga më të vjetrat. Kemi pak të dhëna për këtë Bankë, por janë të mjaftueshme për të vërtetuar ekzistencën e kësaj Banke. Banka e parë në Shqipëri u themelua në vitin 1850 në qytetin e Vlorës nga familja “Bezhani”, të njohur si tregtarë të fuqishëm në qytet. Por tregtia nuk mund të kishte sukses po të zhvillohej vetëm brenda një qyteti. Porti ishte një mundësi për të zhvilluar tregtinë edhe jashtë qytetit. Familjet tregtare i çonin prodhimet e vendit jashtë shtetit si në Greqi dhe Itali dhe sillnin prej andej materiale ndërtimi, manifakturë etj. Duke u marrë me tregti me shtetet e tjerë fitonin eksperiencë dhe kontakte me ekonomi dhe firma të fuqishme nëpërmjet tyre edhe me banka. Bezhanët ranë në kontakt dhe kuptuan se për të shtuar kapitalet e tyre u duhej një bankë. Me kalimin e kohës mendimi për të krijuar një bankë të tyre forcohej. Për të ndihmuar këtë ide filluan të siguronin pasurin e tyre, një dëshmi e tillë është ajo e sigurimit në Trieste të godinë së tyre në lagjen Muradije, e cila mban datën 1831. Bezhanajt kishin krijuar marrëdhënie me banka në Angli, Athinë, Nju Jork etj. Autori i botimit të vogël për bankat, nxjerr në dritë të vërteta për familjen Bezhani që njihet si krijuese e bankës në qytetin e Vlorës. Me mbiemrin Bezhani është e lidhur edhe Banka e 160 vjetëve më parë. Bezhanët e Vlorës sollën me vete mentalitetin e kapitalit të lëvizshëm, pasurimin nëpërmjet parasë, tregtisë. Aty nga fillimi i shekullit XIX ndërtuan në lagjen Muradie të Vlorës një shtëpi trekatëshe për banim, e cila është edhe sot pronë e tyre. Në lagjen Muradie kishin edhe një fabrikë sapuni. Në fasadën e kësaj godine ndodhet një pllakë bronzi ku shkruhet “Assicurazioni Generali Trieste 1831”. Këtë godinë e shoqëruan edhe me të tjera, shtëpi banimi e magazina dhe Bezhanët e siguronin kapitalin e tyre në shtetet fqinje, sikundër shihet edhe nga kjo pllakë e cila ndodhet edhe sot në fasadën e kësaj godine. Marrëdhëniet tregtare të kësaj familje me shtetet fqinjë bënë që t’u lindë ideja dhe dëshira për të hapur një bankë, kjo u realizua kur reformat e Tanzimatit u dhanë më shumë hapësirë tregtarëve. Pra në vitin 1850 u çel një bankë në Shqipëri që sivjet ka 160-vjetorin e saj. Ndofta e vlente që bankierët tanë, sidomos ata të Bankës së Shqipërisë ta vinin në dukje dhe të bënin një ceremoni me këtë rast, ta shkruanin edhe në historinë e Bankës Shqiptare.