Haxhinasto-Petroviç: Deklaratat për ndarje të Kosovës, teori të dështuara

Dialogu Kosovë-Serbi, si mes dy shteteve sovrane dhe me perspektivë të përbashkët BE
Kryediplomati shqiptar dhe njëherazi zv/kryeministri, Edmond Haxhinasto, ka deklaruar se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, por para së gjithash kjo duhet të ushtrohet si mes dy shteteve sovrane dhe me perspektivë të përbashkët integrimin Evropian. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me zv/kryeministrin e Kosovës Petroviç, Haxhinasto theksoi se dialogu teknik dhe praktik mes Prishtinës dhe Beogradit do të sjellë gjithashtu edhe ndryshim në cilësinë e jetës mes dy shteteve.
Haxhinasto theksoi se është e domosdoshme që Kosova të përpunojë hartën e rrugës e cila do ta çojë drejt liberalizimit të vizave.
Duke iu referuar njohjeve të pavarësisë së Kosovës, Haxhinasto theksoi se ky është një proces i pandalshëm ndërsa shtoi se deklaratat për një ndarje të Kosovës janë teori të dështuara.
Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës, që përfaqëson minoritetin serb, falenderoi për mbështetjen e Shqipërisë për ecjen para të Kosovës. “Le t’ia lëmë historisë të kaluarën, të punojmë për të ardhmen e qytetarëve tanë”- tha zoti Petroviç.
“Ndarja apo shkëmbimi i territoreve në Kosovë, për ne ndahet në sukses dhe mossukses. Ne duam të jemi pjesë e BE-së. Duam të punojnë në këtë drejtim. Asnjë nga këto ide nuk e ka marrë mbështetjen e Brukselit apo Washingtonit, e për pasojë jemi kundër”- tha Petroviç.