Bankat i refuzojnë paralelët e veriut

Nuk janë vetëm serbët ata që i refuzojnë vazhdimisht institucionet e Kosovës. Edhe këto të fundit i kanë “mbyllur dyert” për ata që hezitojnë të heqin dorë nga dinari i Serbisë. Banorët e veriut të Kosovës, të punësuar në institucionet paralele serbe, nuk po mund të marrin kredi në bankat e licencuara në Bankën Qendrore të Kosovës.
Burime të gazetës Tribuna kanë bërë të ditur se shumë nga ata që kanë aplikuar për kredi janë refuzuar me arsyetim se nuk kanë kontratë të punës valide.
Një praktikë e tillë nuk ka qenë deri tani, por sipas informacioneve, me fillimin e bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ka filluar edhe aplikimi i masave më konservatore të bankave për ata që marrin pagat në valutën dinar e jo në euro. /Indeksonline/