Logoja, istikami i fundit në veri

Qeveria e Kosovës nuk do të diskutojë për çështjen e logos në fletëvotime, sepse kjo çështje është në kompetencë të KQZ-së, ka deklaruar të hënën kryeministri, Hashim Thaçi para kabinetit qeveritar, para se të nisej në Bruksel për tu takuar me homologun serb, Ivica Dacic. Por, analistë dhe politikanë kosovarë kanë theksuar për Telegrafin se çështja e logos nuk është aspak teknike, por është element që tregon se shteti i Kosovës funksionon edhe në veri të Kosovës.
Analisti Nexhmedin Spahiu tha për Telegrafin se çështja e logos nuk është thjesht çështje formale, por edhe një mjet që tregon nëse po bëhen zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në kuadër të Republikës së Kosovës apo të Republikës së Serbisë.
“Me shumë marrëveshje që janë bërë po rrezikohet që kjo pjesë e Kosovës të ketë status të dyfishtë. Prandaj vendosja e logos është shenja e fundit e formalitet të shtetit të Kosovës”, tha ai për Telegrafin.
Spahiu shprehet se Kosova nuk ka më sovranitet në komunat me shumicë serbe, prandaj ka mbetur që së paku simbolikisht ta bëjë këtë – përmes logos së Republikës së Kosovës në fletëvotime.
“Nëse humbet edhe simboli atëherë konsideroj se ky muhabet ka përfunduar”, ka shtuar ai.
Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka theksuar se qëndrim i LDK-së është në drejtim të respektimit të sistemi juridik të Kosovës.
“Duhet të shihet precedenti se a ka pasur ose jo më herët logo në fletëvotime dhe në bazë të asaj të vendoset”, tha ai për Telegrafin.
Gashi ka deklaruar se Serbia po i bën bisht marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, sepse po mundohet që të krijojë një identitet të veçantë për veriun, jashtë sistemit juridik të Kosovës./Indeksonline/