Bankat ne vend zgjerojne aktivitetin
Në një kohë kur shumë banka në Europë janë shkrirë, kanë falimentuar për shkak të krizës apo janë në vështirësi financiare e kundërta ka ndodhur në vendin tonë. Gjatë vitit 2011 bankat që operojnë në Shqipëri rezultojnë solide përsa i përket jo vetëm kapitalit të tyre, por edhe investimeve të kryera duke zgjeruar aktivitetin e tyre permes shtimit te numrit te degëve në të gjithë territorin. Sipas të dhënave të disponueshme nga Shoqata Shqiptare e Bankave, gjatë vitit të kaluar numri i degëve të reja në të gjithë vendin ka shkuar në 552 njësi me një rritje prej 4% apo 23 degë më shumë së viti 2010. Sipas këtyre të dhënave zgjerimi i bankave është bërë kryesisht në rrethe të ndryshme të vendit, ndërkohë që në Tiranë nuk janë paraqitur ndryshime. Rajonet me numrin më të madh të degëve rezultojnë Tirana, Durrësi, Fieri dhe Vlora, pikërisht në këto qytetet ku aktiviteti ekonomik është më i zhvilluar. Numrin më të lartë të dëgëve e kanë disa nga bankat më të mëdha në vend. Nga të dhënat e paaudituara të Shoqatës shqiptare të bankave rezulton gjithashtu se gjatë vitit 2011 bankat kanë përmirësuar dhe rritur infrastrukturën financiare përmes vendosjes së 34 bankomateve në të gjithë vendin si dhe të 223 POS-eve të reja, apo sic quhen në gjuhën financiare sisteme elektronike për kontrollin nga ana e klientëve të shpenzimeve në llogaritë rrjedhëse. Sipas Shoqatës shqiptare të bankave përdorimi i kartave të kreditit dhe debitit është rritur përgjatë vitit, në përgjigje jo vetëm të familjarizimit të publikut me lehtësirat në përdorimin e tyre, por edhe si rezultat i politikave të bankave për uljen e kostove të mirëmbajtjes dhe përdorimit të kartave.