E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat nuk japin kredi, bizneset marrin fajde

Bizneset marrin fajdeKriza ekonomike dhe shtrëngimi i kredidhënies nga ana e bankave i ka detyruar bizneset që të gjejnë burime alternative për të siguruar para për investime. Shumica e bizneseve kanë nisur të marrin para në formën e fajdeve, edhe pse ky treg është ilegal.
Kreditë
Kohët e fundit edhe Banka e Shqipërisë ka pranuar se shtrëngimi i kushteve për dhënien e kredive ka drejtuar bizneset drejt marrjes së fajdeve. Në raportin e vrojtimit të aktivitetit kreditues, Banka Qendrore sqaron se përveç shtrëngimit të kushteve për kreditimin, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, edhe kërkesa e sipërmarrësve për kredi ka qenë e ulët.
Fajdet
Faktori kryesor, por që pranohet në masë nga shoqatat e bizneseve është marrja e parave në burime alternative. Informaliteti që karakterizon dhënien e fajdeve bën që shumë biznese të mos pranojnë ta pohojnë para mediave një gjë të tillë. Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se kjo është një situatë e pritshme, por e rrezikshme për ekonominë. Bizneset kërkojnë futjen në sistem të funksionimit të bursës, e cila do të eliminojë kërkesën e lartë për financim. Ata sqarojnë se në momentin që ndërmarrja gjendet në vështirësi mund të shesë një pjesë të aksioneve për tu rikuperuar.
Tkurrja
Standardet e kredisë u shtrënguan si për kreditë dhënë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme ashtu dhe për ato dhënë ndërmarrjeve të mëdha. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet u shtrënguan për ato kredi me qëllimin financimin e investimeve dhe të kapitalit qarkullues. Faktorët me kontributin kryesor në shtrëngimin e standardeve të kredisë për bizneset, ishin: problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin ndërmarrja, gjendja e huave me probleme në sistemin bankar dhe situata makroekonomike në vend. Kushtet nëpërmjet të cilave bankat kanë zbatuar politikën shtrënguese të standardeve për kreditë dhënë bizneseve janë: rritja e kërkesës për kolateral, në raport me madhësinë e huas, zgjerimi i marzhit mesatar dhe atij për kreditë me rrezik. Për individët, politika shtrënguese është zbatuar nëpërmjet uljes së madhësisë së kredisë së akorduar dhe rritjes së kërkesës për kolateral.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›