Bankat tregtare, sfidë ulja e kredive të këqija
Sfida aktuale e bankave tregtare në vend është ulja e kredive me probleme. Kjo
pasi reduktimi i fitimit të bankave ka ardhur pikërisht si pasojë prej kredive me probleme. Sipas të dhënave të shoqatës së bankave, gjatë 8 muajve të parë të këtij viti, sistemi bankar realizoi një fitim prej 2 miliardë lekësh, një rezultat edhe pse pozitiv është më i ulët se fitimi prej 5 miliardë lekësh i realizuar vitin e kaluar. Arsyeja që ka reduktuar fitimin e bankave është rritja e provigjoneve që vendosin bankat për kreditë me probleme.
Ky tregues shënoi një tjetër rritje gjatë gushtit duke kapur nivelin 18 %. Krahasuar me muajin korrik, portofoli i kredive të këqija është rritur me 1 %, ndërsa kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar rritja vlerësohet në masën 4.5 %. Për të ulur nivelin e kredive me probleme, i cili është i ndryshëm nga banka në bankë, Banka e Shqipërisë ka sugjeruar ekzekutimin e kolateraleve. Dhe për bankat e nivelit të dytë ngelet sfidë pikërisht ekzekutimi i kolateraleve, jo vetëm në aspektin e procedurave burokratike, por edhe në mundësimin e shitjeve të tyre. Shumë pasuri të paluajtshme, të nxjerra në ankand, nuk janë arritur të shiten dhe kanë kaluar në portofolin e bankave. Kreditë e pakthyera, përveçse janë rritur në pikëpamjen sasiore dhe janë bërë një kosto e konsiderueshme për bankat, po shfaqin edhe një problematikë të dytë, jo më pak të rëndësishme, likuidimin e kolateralit. Ngadalësimi i ekonomisë dhe shtimi i rasteve të ekzekutimit e ka bërë të vështirë edhe shitjen e pronave me një vlerë të përshtatshme për të mbuluar vlerën e kredisë të dhënë nga banka. Por, pavarësisht përkeqësimit të këtij treguesi, institucioni mbikëqyrës bankar vlerëson se sistemi bankar shqiptar është i sigurt dhe i shëndoshë financiarisht.