E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat tregtare, interesat e kredive dhe depozitave në lekë, 0.25-0.5 % më pak

SHKRUAN: Sabina Veizaj 17-10-2011 12:23

Një lajm i mirë për bizneset dhe individët që presin të aplikojnë për kredi dhe një lajm më pak pozitiv për ata që preferojnë të depozitojnë para në vend që t’i investojnë ato. Menjëherë pas vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit me 0.25% dhe si pasojë e krizës në eurozonë, bankat e nivelit të dytë kanë marrë vendim të unifikuar që këtë javë të ulin të gjitha normat e interesit të kredive dhe depozitave në lekë nga 0.25-0.5 %. Kjo i shërben mbajtjes së objektivave për inflacionin në terma afatmesëm dhe në të njëjtën kohë u shërben kushteve monetare për të stimuluar aktivitetet ekonomike në vend. BSH e aplikoi sërish uljen e çmimit të lekut, si mjetin themelor për nxitjen e kreditimit të ekonomisë dhe nga ana tjetër uljen e kostove të borxhit në tërësi. Në një kohë kur çmimet paraqiten disi të stabilizuara, Banka e Shqipërisë aplikoi uljen e kostos së parasë si një mënyrë për të çliruar konsumin në ekonomi, i cili ka rënë ndjeshëm dy vitet e fundit. Në këtë mënyrë, interesat e kredive këtë tremujor të fundit të vitit do të kenë një prirje në rënie duke parashikuar një rritje të aktivitetit kreditues, por njëkohësisht pritet gjithashtu të forcohet edhe konkurrenca mes bankave. Kjo lëvizje e bankave tregtare pas vendimit të Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit, do të ndikojë mbi të gjitha në nxitjen e zhvillimit të mëtejshëm të ekonomisë, duke synuar rritjen e investimeve dhe konsumit, pasi numri i depozitave është rritur në raport me kreditë dhe investimet. Me këtë ndryshim interesash, individët do të duan më shumë të investojnë në pasuri të paluajtshme dhe të konsumojnë si rezultat i rritjes së besimit pas rënies së interesave për kredimarrje dhe depozita, duke çliruar si tregun e ndërtimit dhe rritur likuiditetin në treg duke bërë që ekonomia të gjallërohet. Por në të njëjtën kohë, pas këtij vendimi bankat tregtare do të vazhdojnë edhe lehtësirat për kredimarrje. Bankat tregtare në vendin tonë e japin një kredi konsumatore në lekë me një interes mesatar 16-18 për qind, ndërkohë që kredinë për shtëpi e japin me një interes 11-14 për qind. Nga ana tjetër, interesi i depozitave në lekë varion nga 6-8 për qind për afatin 12-mujor, pa pësuar ulje nga politika e Bankës Qendrore. Kreditë e reja në lekë që po jepen nga bankat, aktualisht kanë shënuar vlerë 0.08 pikë përqindjeje më lart se tremujori i parë i vitit 2010, ndërkohë interesi 12-mujor i bonove të thesarit të përdorura si referencë, u ul me 0.65 pikë përqindjeje në këtë periudhë. Kjo ecuri në tregun e kredive do të ndryshojë këtë javë, duke reflektuar politikën e Bankës së Shqipërisë në lidhje me uljen e normës bazë të interesit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›