Bankers Petroleum shton prodhimin e naftes
Kompania kryesore e prodhimit të naftës në vend Bankers Petroleum edhe për tremujorin e parë të këtij viti ka shënuar rezultate positive. Në raportin më të fundit të publikuar nga kjo kompani vihet re se për periudhën janar –mars 2012, të ardhurat e saj janë shtuar me 41% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, në 102 milionë dollarë. Sipas Bankers kjo rritje e të ardhurave është realizuar falë shtimit të prodhimit të naftës me 12% dhe rritjes së çmimit mesatar të shitjes me 25%. Gjatë tremujorit të parë shitjet kanë arritur në rreth 13.297 fuçi në ditë ndërkohë që cmimi i shitjes është përafruar në 85 dollarë për fuçi. Gjithashtu sipas Bankers Petroleum, pagesat për qeverinë shqiptare dhe entet e lidhura me të gjatë pjesës së parë të vitit kanë rezultuar në 19,1 milionë dollarë, nga 13,8 milionë në po këtë tremujor të 2011-ës. Pagesat totale për qeverinë kanë qenë në 64 milionë dollarë për të gjithë vitin 2011, apo 19% të të gjithë totalit të të ardhurave të saj. Kompania kanadeze e cila operon në Shqipëri që prej vitit 2004, parashikon që veprimtaria e saj në nxjerrjen dhe shitjen e naftës të rritet edhe më tej gjatë pjesës tjetër të vitit. Gjatë muajve të ardhshëm shoqëria petrolifere ka planifikuar të fokusohet në shpimin e puseve të reja të naftës në zonat me ndikim të lartë në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës si dhe në Goran dhe Drizë. Gjithashtu ka parashikuar vende të reja shpimi për eksplorimin në Bllokun F.