E Diel, 1 Nëntor 2026

BE arrin marreveshjen mbi kapitalin e bankave

Vendet e BE kanë arritur një marrëveshje mbi standardet e kapitalit për bankat europiane në përpjekje për të parandaluar një tjetër krizë financiare. Kjo marrëveshje i hap rrugën miratimit të ligjeve vitin e ardhshëm që do ti bëjnë më të sigurta 8300 bankat europiane. Konsensusi mes vendeve të BE është konsideruar si një moment historik  për të vendosur sasinë e kapitalit që huadhënësit duhet të lënë mënjanë për të mbuluar rreziqet në të ardhmen duke u dhënë përgjigje pyetjeve mbi krizën financiare pesëvjecare që përmbysi mbi dhjetra banka në Europë.
 Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schauble  e quajti marrëveshjen si një hap të rëndësishëm  në reformimin e financave.
“Është shumë e rëndësishme që ne u angazhuam për të integruar rregullat e Bazelit 3 në ligjet tona dhe është shumë e rëndësishme që ne të mësojmë nga kriza  financiare e Lehman Brothers. Mendoj se bëmë një hap domethënës në këtë drejtim. Cfarë do të ndodhë tani duhet të vendoset nga të gjithë por europianët duhet të kryejnë detyrimet e tyre për marrëveshjen”, vlerësoi Schauble.
Gjithashtu marrëveshja shënon fundin e një debati të nxehtë që kishte izoluar Britaninë, pasi ministri britanik Osborne më herët ishte akuzuar nga kolegët e tij në BE se përpiqet  të anashkalojë rregullat kapitale. Por efektet pozitive të marrëveshjes  ka të ngjarë të harrohen shpejt.
Pasiguritë politike në Greqi dhe kriza në zonën euro tregojnë  se asgjë s’ka përfunduar.
 Ministri gjerman Schauble ka mbrojtur dy programet e negociuara me BE dhe FMN për të mos lejuar Greqinë të falimentojë.  
 “Jemi në Europë sëbashku dhe kemi përgjegjësinë për të ecur përpara sëbashku. Unë mendoj se programet që  ne kemi punuar  për  Greqinë gjatë dy viteve të fundit,   janë të arsyeshme, janë të drejta dhe ambicioze”, shtoi ai.  
Ndërkohë, Spanja  ka siguruar tregjet duke marrë përsipër  mbështetjen e  “Bankia” e cila pësoi humbje të mëdha nga ekspozimi i kredive të këqija kryesisht nga sektori i pasurive të patundshme. 
Më lejoni të përsëris, ka thënë ministri i financave Luis de Guindos,  se Qeveria është e bindur se realiteti është më i mirë se përshtypja që disa mund të kenë. 
"Së pari, ne do të përpiqemi që Greqia të mos dalë nga euro, ky është vullneti  i të gjithë ne dhe sidomos e popullit grekë të cilët nuk duan të lënë euron. Të parët që do të vuanin nga daljë nga euro  do të ishin grekët”, tha ai. 
Frika më e madhe për zonën euro  është se kaosi në Greqi mund të zvarrit ekonomitë e tjera të mëdha si Spanja dhe Italia  dhe kërcënojë ekzistencën e gjithë eurozonës.  

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›