E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët, bisedat pro dhe kundër homoseksualizmit

Pasi janë zgjuar mëngjesin e djeshëm, banorët e "Big Brother" kanë nisur të përgatiten për të festuar brenda në shtëpinë më të famshme njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të cilën e kanë respektuar maksimalisht, duke nisur nga gatimi e deri te veshja, e cila duhej të ishte serioze. Më pas, gjatë ditës, ata janë përfshirë në debate, me tema të ndryshme. Ka qenë pikërisht vajza nga Kosova, Lirita, e cila ka kërkuar të flitej mbi herën e parë kur banorët kanë kryer marrëdhënie seksuale e deri te si i shohin ata marrëdhëniet midis sekseve të njëjta. Mendimet kanë qenë të ndryshme. Më pas dita ka vijuar edhe me grindje mes banorëve. Debati më i madh ka qenë ai midis Adelajdes dhe Aidës, në të cilin janë përfshirë edhe një pjesë e banorëve.

"Big Brother" feston pavarësinë

Banorët e shtëpisë së "Big Brother" përgatisin plane për të festuar pavarësinë e Kosovës, duke filluar që nga gatimi deri te veshjet serioze, ose kuq e zi. Detajet e festës janë diskutuar bashkërisht në dhomën e ndenjes dhe sigurisht që në qendër të këtyre përgatitjeve janë tre banorët nga Kosova, të cilët e festojnë jashtë vendlindjes pavarësinë. Gjatë paradites banorët kanë diskutuar se çfarë do të veshin në party-n që do të organizojnë me rastin e pavarësisë së Kosovës. Ata kanë thënë se duhet të vishen sa më serioz, meshkujt me kostume, femrat me fustane të mira. Ideja ka lindur një ditë para pavarësisë, kur Lirita ka kujtuar datën dhe ka thënë se të nesërmen ishte Dita e Pavarësisë.

Banorët debatojnë për besimin në Zot

Një debat i nxehtë ka nisur mes banorëve të shtëpisë. Adela thotë se Kurani është libri që nuk ka pësuar asnjë ndryshim, por është shkruar direkt i frymëzuar nga Zoti, ndërsa librat e tjerë janë ndryshuar. Vajza nga Kavaja thotë se ishte betuar të mos fliste për fenë, por meqë erdhi rasti, ajo tregon se ka njohuri shumë të mira fetare dhe këtë e justifikon me kohën kur ka qenë nxënëse në Medresenë e Shkodrës. Por, Dritani reagon, duke thënë se gjithçka ajo ka mësuar në shkollë është e drejtë dhe ajo që thonë të tjerët është e gabuar. Ai përpiqet të argumentojë besimin e tij te Krishti dhe e gjithë biseda i referohet më pas Biblës e Kuranit, dy librave të shenjtë.

Bjordi: Adela, do lexoj Kuranin për ty

Liria dhe mungesa e saj është një dialog që Bjordi po e bën me Adelajden. Ai është kundër mbulimit të grave, duke e quajtur këtë si një mungesë të dukshme të lirisë së tyre. "Ne në jetë mund të bëjmë ç‘të duam, ndërsa ka gra që nuk e shikojnë diellin dhe nuk e dinë se çfarë është ajri. Mendoj se kjo jetë duhet jetuar me të gjitha të mirat, sigurisht duhen edhe rregullat, por edhe ato duhen përdorur me logjikë. Unë nuk i bëj keq njeriu dhe e jetoj mirë jetën time", përfundon Bjordi. Adelajda thotë se me logjikën që ka Bjordi, kur ta lexojë Kuranin do ta kuptojë atë që ajo thotë. Bjordi pranon: "Do ta lexoj Kuranin vetëm për ty".

Adela ngacmon Bjordin për dashurinë

Republika, Adela dhe Adi bisedojnë, por ardhja e Bjordit nuk i lë ata të flasin. Adela i kërkon të largohet, por ai i thotë se nuk ka asnjë arsye që të iki. Bjordi e kupton që e gjithë kjo situatë është me humor. Por Adela për t‘iu kundërvënë e ngacmon në lidhje me të dashurat e tij, që kanë qenë bionde e brune. Ai thotë se e dashura e parë që ka pasur ka qenë në moshën 16-vjeçare, ndërsa Adela i thotë se ata nuk kanë qenë të dashura, por të dashur. Bjordi nuk thotë asgjë, por përpiqet të anashkaloje bisedën. Më pas Adela e pyet se sa vjeç ka qenë e dashura e fundit, ai i thotë që ka qenë 25 vjeçe.

Adelajda: Jam kundër homoseksualëve

Lirita sugjeron disa tema për debat, mes tyre ajo e bizhuterive, se kur kanë kryer për herë të parë marrëdhënie seksuale secili prej banorëve dhe seksit mes personave të së njëjtit seks. Adelajda thotë se është kundër homoseksualëve, por jo kundër temës për të diskutuar, megjithatë nuk dëshiron që të japë mendimet e saj. Ndërkohë, Aida, Adi dhe Lirita bien dakord për të folur për këtë temë mes tyre. Nga ana tjetër, Adela ngrihet për të pastruar, por banorët thonë se do ta presin derisa ajo të mbarojë dhe të diskutojnë edhe më tepër për homoseksualitetin. Arjoni mendon se përpos faktit se kjo është një temë shumë delikate, duhet që të gjithë të flasin me radhë që të mos lëndojnë asnjëri.

Tani: Kush ishte pro gay, mashtrues

Tani, Lirita dhe Adi bisedojnë larg banorëve të tjerë sërish për temën e homoseksualizmit. Dritani mendon se Bjordi ka idetë e veta që i ka të ndikuara nga jeta që ka bërë në Itali, ndërkohë që sipas tij janë mashtrues të gjithë ata që thanë se e pranonin homoseksualizmin dhe do të ishin pro të afërmve gay. "Nëse doni të bëjmë shfaqje para publikut dhe të themi që jemi mendjehapur ndaj këtij fenomeni, nuk ka asnjë problem, por realisht ata që thanë se ishin pro nuk thanë të vërtetën. E bënë vetëm pasi ishin brenda "Big Brother", nëse do ishin jashtë, do të kishin pasur mendim tjetër. Adi thotë se fakti që është rritur në një ambient me tradita të forta, nuk mund ta pranojë këtë fenomen.

Debati Aida - Adelajde

Një tjetër përplasje ka ndodhur mes Adelës dhe Aidës, e treta sipas kësaj të fundit për të njëjtin motiv: mimikën e Adelajdes. Por, kësaj radhe, në debat janë përfshirë gjerësisht edhe banorët e tjerë të shtëpisë, disa prej të cilëve kanë gjetur rastin t‘i thonë asaj opinionet e tyre jo pozitive për sjelljen e saj. Kështu, Agoni i ka thënë se ajo është agresive me të tjerët, nuk e ka lënë t‘i afrohet, madje kur ai është përpjekur ta bëjë këtë, ajo ka reaguar në një mënyrë të tillë sa ai ka tmerr ta provojë përsëri. Sjellja, apo reagimet e saj karshi tij i lënë madje shkas të mendojë se ajo mund të ndjejë neveri për të. Adela nuk ka pranuar asgjë prej fjalëve të Agonit, apo banorëve të tjerë dhe ka kundërshtuar mendimet e tij për sa i përkisnin agresivitetit të saj. Në këtë moment ka ndërhyrë Aida, e cila i ka thënë: "Agresiviteti nuk ka pushkë, as bri vajzë e dashur" dhe debati është përqendruar mes të dyjave. Aida i ka kujtuar Adelajdes se në të gjitha rastet, kur mes tyre ka pasur përplasje, shkak është bërë mimika e saj. "Unë kjo jam dhe nuk mund të ndryshoj!" - ia ka kthyer Adela. Ti s‘ke pse e merr për personale!" "Atëherë as ti mos i merr personale reagimet e mia që janë pasojë e mimikës tënde", i ka thënë Aida. Në debatin mes të dyjave Aida është mbështetur fort nga Zhuljeta dhe Agoni. Zhuljeta në mënyrë provokuese i ka thënë Adelajdes se ndoshta ngaqë ajo nuk guxon, apo nuk arrin të shprehet me fjalë, përdor mimikën. Ata që mbështesnin deri diku Adelën ishin Arjoni dhe Pavlini. Të tjerët preferonin të qëndronin në heshtje e të mos përziheshin në ato që thoshin e të ishin të balancuar si nga njëra anë, si nga tjetra. P.sh. Adi, kur Adelajda e përdori si shembull për t‘u thënë të tjerëve se kishte banorë që e kuptonin shumë mirë, tha: "Të lutem më lër rehat, mos më përmend fare!"

Në fillim të debatit, Adela filloi të bënte fresk, e nxehur nga situata e sikletshme në të cilën ndodhej, por më pas, kur e pa veten të sulmuar e në shënjestër pothuajse të të gjithëve, me në krye Aidën, nuk mundi t‘i përmbante lotët. "Nuk ia vlen të debatojmë për këtë!" - i ka thënë ajo Aidës. Më pas është larguar dhe ka shkuar në banjë, ku Qetsori, Erjola dhe Bjordi janë munduar ta qetësojnë.

Adi: Jam kundër përdorimit të drogës

Më në fund Bjordi gjeti pak kohë që të flasë vetëm për vetëm më Adin. Ky i fundit i thotë atij se fakti që ai logjikon ndryshe nga pjesa tjetër lidhet me një deformim që kanë pësuar shqiptarët në vite. "Nëse dikush më lë të jetoj unë e respektoj. Por, edhe ti i keq nuk bëhesh dot. Bjordi kujdes nga veset, si droga. Të gjithë kemi ndonjë që ka vuajtur nga droga dhe e dimë se sa e keqe është. Alkooli nuk bën ndonjë gjë, por unë jam kundër atyre gjërave që të deformojnë si njeri, veçanërisht rininë", përfundon Adi, duke i dhënë edhe këshilla Bjordit. Ky i fundit thotë se nuk është Italia ajo që e ka bërë kështu, sepse familja e tij është katolike, por ai ka pasur fatin që u vetë dhe zgjodhi çfarë ishte e mirë dhe e keqe.

Zhuli: Bukuria nuk të bën më të mirë

Adelajda tregon se për të përshtypja e parë është shumë e rëndësishme dhe nëse e lidh puna dhe ka kohë që ta njohë është një mundësi e mirë, në të kundërt do të mbetet opinioni i parë që ka krijuar, ai negativ. Zhuljeta pohon se nuk është e thënë që një mashkull të jetë i bukur që ta tërheqë, pasi bukuria nuk të bën të mirë. Adriani reagon, duke thënë se kjo është e padrejtë, pasi një që nuk ka pamje të mjaftueshme për t‘u konsideruar i bukur duhet të vuajë. Arjoni thotë se paragjykimi i parë është shumë i rëndësishëm dhe nëse një njeri nuk ka pamje të mjaftueshme për t‘u kualifikuar i bukur, shpesh edhe mund të konsiderohet njeri jo i mirë.

"Verdikti" i takon popullit!

Kjo ka qenë përgjigjja e Zhuljetës për pyetjen e Qetsorit, se kush nga të dyja mendonin ato, do të dilte nga shtëpia. Ai u ka kërkuar vajzave të thonë se si ndihen karshi njëra-tjetrës tani që janë të dyja në nominim. "Sepse - ka thënë ai - më duket se rrini sikur keni bërë ndonjë faj. Zhuljeta ia ka kthyer, duke i thënë se nominimi ishte jo si faj, por si sfidë, madje faktin e të qenit e nominuar nga banorët e shtëpisë ajo e motivon me frikën e tyre karshi saj dhe të konsideruarin për të si kundërshtare e fortë. Në fakt, këto ishin dhe fjalët e Qetsorit në dhomën e rrëfimit. Kur u pyet nga Arbana për nominimin e tij, ai tha se nominonte Zhuljetën, sepse e shihte si kundërshtare të fortë. Ndërsa pyetjes së tij nëse ka ndryshuar marrëdhënia e tyre këtë javë dhe a konsiderojnë ato njëra-tjetrën si armike, apo rivale, të dyja vajzat i janë përgjigjur se përkundrazi, këtë javë relatat e tyre kanë qenë më të mira se më parë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›