E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Patosit vijojnë protestën kundër bashkimit me Fierin: Mos na cenoni autonominë dhe identitetin e qytetit

TIRANË, 29 gusht/ATSH/ Banorët e Patosit kanë zhvilluar protestën e katërt kundër projektit për bashkimin e Bashkisë Patos me Bashkinë Fier, duke kërkuar që qyteti të vijojë të funksionojë si njësi vendore më vete.

Protestuesit kundërshtojnë ndryshimet e propozuara në kuadër të reformës territoriale dhe argumentojnë se Patosi ka kapacitetet e nevojshme për të administruar territorin dhe financat e tij.

Sipas banorëve, bashkia është financiarisht e qëndrueshme dhe nuk mbart detyrime ndaj buxhetit të shtetit. Ata theksojnë gjithashtu se ndër vite në qytet janë realizuar investime të rëndësishme, të cilat, sipas tyre, lidhen drejtpërdrejt me përmasat dhe nevojat e komunitetit.

Një nga shqetësimet kryesore të protestuesve është mënyra se si do të përcaktohen investimet në rast të bashkimit me Fierin. Ata shprehen se Patosi dhe zonat përreth rrezikojnë të mos kenë të njëjtin prioritet në planifikimin e investimeve dhe ofrimin e shërbimeve.

“Paratë dhe investimet duhet të përdoren për të zgjidhur problemet që kemi këtu në Patos”, u shpreh një prej protestuesve, duke kërkuar që vendimmarrja për qytetin të vijojë të bëhet pranë komunitetit.

Në protestë janë bashkuar edhe pensionistë, të cilët kanë ngritur shqetësime për të ardhmen e qytetit dhe cilësinë e shërbimeve publike në rast të ndryshimit të statusit administrativ.

Për banorët, kundërshtimi nuk lidhet vetëm me administrimin dhe financat, por edhe me identitetin historik të Patosit, i cili është i lidhur ngushtë me industrinë e naftës dhe historinë e punëtorëve të këtij sektori.

“Ne këtu në Patos do të festojmë 100-vjetorin e grevës së parë të punëtorëve të naftës. Kjo histori duket se nuk njihet. Pse duan të shkatërrojnë qytetin e naftëtarëve të Patosit?”, deklaruan protestuesit.

Ata kundërshtojnë idenë se bashkimi me Fierin do të përbënte vetëm një ndryshim administrativ, duke argumentuar se një vendim i tillë do të ndikonte në mënyrën e planifikimit të investimeve, ofrimit të shërbimeve dhe përcaktimit të prioriteteve për territorin.

Banorët kërkojnë që çdo ndryshim i mundshëm të marrë në konsideratë vullnetin e komunitetit dhe që Patosi të ruajë statusin e bashkisë më vete.

Protestuesit paralajmërojnë se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, do të vijojnë me protesta dhe nuk përjashtojnë përshkallëzimin e tyre, përfshirë edhe bllokimin e rrugëve që lidhin Patosin me zonat përreth.

/gj.m/ /a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›