Banorët e Plesatit përballen me probleme

Banorët që jetojnë në fshatin Plesat të njësisë administrative Cepo të Gjirokastrës, prej vitesh përballen me probleme të shumtë që shkaktohen nga mungesa e rrugës që çon në fshat si edhe mungesa e ujit të pijshëm duke u’a bërë të vështirë jetesën e përditshme. Ata thonë se makinat e kanë aq të vështirë të venë deri në fshat dhe se patjetër nuk jetohet pa ujë të pijshëm.
“Probleme madhorë për ne, janë së pari mosegzistenca e rrugës që vështirëson qasjen në fshat si për ne, si për ata që duan të n’a vijnë. Së dyti, mungesa e skajshme e ujit të pijshëm dhe së treti, mungesa e ndihmës shëndetësore në fshatin tonë ku sidomos për ne që jemi pleq është fatkeqësisht më se e natyrshme dhe e domosdoshme”, shprehet një i moshuar.
Ndërkaq tjetër problem serioz për banorët e fshatit Plesat të Gjirokastrës, vijon të jetë një mungesë e plotë për kujdes shëndetësor për më shumë se 20 vite.
“S’ kemi ne, as infermjer as qendër shëndetësore. Problemi i ujit dhe i korentit vajti vite që nuk po zgjidhet. S’kemi asgjë”, shprehet një tjetër i moshuar .
Në Plesat aktualisht jetojnë më shumë se 20 familje.