Banorët e Zahaqit kundër ndërtimit të objektit privat afër shkollës

Ka nisur realizimi i projektit ekonomik privat për grumbullim perimesh në Zahaq të Pejës. Ndërsa banorët me peticion kundërshtojnë ndërtimin e këtij objekti në afërsi të shkollës në një hektar sipërfaqe tokësore. Sipas grupit iniciator të kundërshtarëve që përfshijnë bashkësinë lokale të 4 fshatrave: Zahaq, Ramun, Llabjan dhe Nakëll, pretendohet se me këto veprime po ngufaten aktivitetet rinore, duke ua zënë hapësirat e pakta, ndërsa nxënësit po ndihen të rrezikuar. Ndërkohë, Komuna e Pejës thotë se po bën punë të mirë për joshje të investimeve dhe zhvillimit të bujqësisë. Ajo e arsyeton vendimin për dhënien me qira të tokës për mungesë të një lokaliteti më të përshtatshëm. Ndërkaq, projekti është investim i përbashkët midis kompanisë nga Gjermania “Kelmendi GMBH ” dhe Ministrisë së Bujqësisë prej 2.4 milionë eurosh. Bashkëpronari i kësaj kompanie, Shefqet Kelmendi, nga Ruhoti, thotë se qëllimi i ngritjes së kësaj qendre është që të grumbullojë e paketojë fruta perime dhe të gjitha të eksportohen në shtete të BE-së. Sipas tij, qendra do të ofrojë gjithë fermerët e rajonit të Pejës. Për këtë edhe është pajisur me leje nga Komuna.
“Qendra do të grumbullojë e paketojë fruta perime dhe do të eksportohen në shtete të BE-së. Vendi ku do të ndërtohet qendra lejen na e ka përcaktuar Komuna”, ka thënë Kelmendi. Por banorët e 4 fshatrave nuk i kënaq ky investim për shkakun se, siç thonë ata, do të kenë më shumë dëme sesa leverdi. Në ankesat e tyre ata thonë se po u ndalohet zhvillimi i aktiviteteve sportive dhe rekreacioni. Ndaj me peticionin që janë duke e përgatitur, ata do t’i drejtohen Komunës, të hënën, për ta futur në rend dite në seancën e KK-së. “Ankesa jonë s’është kundër biznesit privat, por jemi kategorikë kundër lokacionit dhe procedurat janë zhvilluar pa u pyetur banorët ”, thotë Agim Lajçi, një nga organizatorët e peticionit.
Organizatori tjetër i peticionit, Agron Maloku, nga Llabjani, thekson se me mbylljen e kësaj hapësire do të përfundojë jeta sportive në bashkësinë e 4 fshatrave. E Xhevdet Kelmendi, kryetar i nëndegës së AAK-së në fshat, thotë se të gjithë qytetarët kanë qenë të informuar për procedurat. “Këtë kanë mundur ta shihnin disa ditë në zyrat administrative të bashkësisë lokale, ku edhe është drejtor ai vetë. Kundërshtimi është i politizuar, sepse këta dikush po i shtynë”, thotë ai. Ndërkohë, Tahir Cukaj, drejtor i Bujqësisë në Pejë, ka thënë se e gjithë procedura është zhvilluar sipas ligjit dhe është bërë zgjedhja më e mirë. “Kjo pronë është e Komunës dhe këtij investitori i është dhënë me qira me afat të caktuar 10-vjeçar me mundësi vazhdimi. Kjo është bazuar në Ligjin për dhënien me qira të parcelave bujqësore”, thotë Cukaj./Indeksonline/