E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy drejtori të Komunës së Vitisë akuzojnë njëra-tjetrën

Drejtuesit e Drejtorisë së Urbanizmit dhe asaj të Inspektoratit të Vitisë fajësojnë njëri-tjetrin për moszbatimin të Planit Urban. Derisa zyrtarë të Urbanizmit thonë se problemet me ndërtimet pa leje dhe jashtë planit janë shkaku i mosangazhimit sa duhet të inspektorëve komunalë, ata të Inspektoratit deklarojnë të kundërtën se vonesat e paarsyeshme nga Urbanizmi, në dhënien e lejeve po ndikojnë që qytetarët të shkelin rregullat e ndërtimit. Metush Bajrami, drejtor i Urbanizmit, ka thënë se sfidat kryesore të kësaj drejtorie lidhen me zbatimin e Planit Zhvillimor dhe atij Urban, pasi ky dokument i miratuar më 2011, shumë pak po gjen zbatim në praktikë.

“Me këtë plan, pos që kemi përcaktuar kahet e zhvillimit të Komunës në të ardhmen, janë përcaktuar edhe kriteret e ndërtimeve. Por fatkeqësisht kemi ngecje në zbatimin e tij pasi në disa zona ka ndërtime jashtë planit dhe këtë nuk po mund ta ndalojmë”, ka thënë Bajrami. Ai ka theksuar se zonat më të rrezikuara nga ndërtimet jashtë planit janë vetë periferia e Vitisë dhe përgjatë shiritit rrugor në Pozheran dhe Ramnishtë. “Brenda vitit vetëm rreth 15 qytetarë marrin leje urbanistike për ndërtim, derisa trendi i ndërtimit në këto zona është shumë herë më i madh”, thotë Bajrami.

Pos problemit të ndërtimeve, Bajrami thekson se problem tjetër në zbatimin e këtij plani është edhe shndërrimi i tokës bujqësore në atë ndërtimore. Por sipas drejtuesve të Inspektoratit kritikat që vijnë nga Urbanizmi për moszbatim të planit në adresë të tij nuk qëndrojnë, pasi sipas tyre Inspektorati po e kryen punën e vetë dhe shumë lëndë që kanë të bëjnë me ndërtimet jashtë planit janë në gjykatë.

Njazi Ukshini, drejtor i Inspektoratit, thotë se sikur Urbanizmi të procedonte më shpejt dhe në bazë të ligjit kërkesat e qytetarëve për pëlqime dhe leje urbanistike, situata do të ishte më ndryshe, pasi vonesat në këtë aspekt po ndikojnë që qytetarët të bëjnë shkelje me rastin e ndërtimeve. “Inspektorati është vazhdimisht në terren dhe në shumë raste ka intervenuar duke ndërprerë ndërtimet dhe duke kërkuar nga qytetarët që të marrin leje ndërtimi. Por vonesat në Urbanizëm për pajisje të qytetarëve me këto leje kanë ndikuar që qytetarët të shkelin rregullat e ndërtimit”, ka thënë Ukshini./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›