E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klina përkujtoi masakrën e Kralanit

Komuna e Klinës ka përkujtuar masakrën e Kralanit, ditë kur qenë rrëmbyer 86 persona, në përvjetorin e 14-të. Masakra është përkujtuar me një tubim përkujtimor në të cilin familjarët kanë shprehur pakënaqësinë me punën e institucioneve vendëse e ndërkombëtare për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Para 14 vjetësh në Kralan, komuna e Gjakovës, qenë rrëmbyer 86 burra, më parë të ndarë nga familjet, për t’u zhdukur pa gjurmë. Janë edhe 51 veta të këtij grupi për fatin e të cilëve ende nuk dihet asgjë.

Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për të zhdukurit, ka thënë se komisioni që ai drejton ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë edhe në të ardhmen deri në zbulimin e fatit të personit të fundit të zhdukur. Ai ka thënë se është shumë e padrejtë që shqiptarët të akuzohen për trafikim organesh njerëzore. “Serbia ka pasur mundësi për trafikim organesh njerëzore, aty duhet të kërkohet fajtori, e jo te shqiptarët, Serbia duhet të përgjigjet për krimet e kryera”, ka theksuar Gjetaj.

Kryetari i Këshillit koordinues për persona të pagjetur, Haki Kasumi ka pohuar se bashkësia ndërkombëtare ka ndihmuar në këtë proces, por duhet të bëhet më shumë deri në zbardhjen e fatit të personit të fundit. Në emër të familjarëve ka folur Refki Krasniqi. Ai ndër të tjera është shprehur i pakënaqur me punën e institucioneve vendëse e ndërkombëtare por edhe të familjarëve. “Është vështirë të përshkruhet gjendja e familjarëve, të cilët edhe pas 14 vjetësh nuk dinë asgjë për të dashurit e tyre, as familjarët, as institucionet nuk kanë bërë sa duhet. I dimë aktorët e krimeve dhe nuk kemi bërë qoftë një padi të vetme”, ka thënë Krasniqi.

Edhe Avdullah Berisha nga Zajmi i ka akuzuar strukturat udhëheqëse se nuk po bëjnë sa duhet në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. “Prej 14 vjetësh e kam djalin e zhdukur. Nuk di asgjë për të. Ka një vit që nuk më pranojnë në Komunë për të biseduar me zyrtarët”, ka thënë i moshuari Berisha./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›