E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët kundërshtojnë ndërtimin e WC-ve publike në shesh

Derisa Komuna e Prishtinës, po vazhdon punimet në sheshin "Zahir Pajaziti" dhe atë “Edit Durham”, banorët e lagjes ish “Avalla”, kanë protestuar kundër ndërtimit të WC-ve publike dhe një restauranti, në pjesën që dikur ishte e gjelbër dhe shfrytëzohej si park.

113 banorë të kësaj lagje kanë nëshkruar një peticion, ku bëjnë thirrje për mosrealizim të këtij projekti. Ata i kanë kujtuar Komunës që në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë që fëmijet e tyre të rriten para WC-ve publike.

Sipas banorëve komuna ka ndryshuar planin pasi që në fillim ishte prezantuar tjetër plan për qyetatarët. Njëri nga banorët, njëkohësisht organizuesi i peticionit, Orli Zhubi ka shprehur shqetësimin e banorëve reth ndërtimit të këtyre WC-ve publike si dhe restaurantit në vend të hapësirave të gjelbërta.

“Ky është një plan absurd, krejtësisht i papranueshëm, kërkojmë që të mbetet pjesa e gjelbër ashtu siç ka qenë më herët. Kërkojmë nga Kuvendi komunal që të zbatohet projekti ashtu siç ishte paraparë në fillim”, ka thënë Zhubi.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj ka mohuar që Komuna të ketë ndryshuar ndonjë plan. Sipas tij, këto tualete kanë qenë të parapara dhe se ato janë nëntokësore, nuk e dëmtojnë hapësirën e gjelbër.

“Plani për ndërtimin e sheshit Zahir Pajaziti nuk është ndryshuar asnjëherë. Në këtë plan kanë qenë të parapara edhe ndërtimi i tualeteve publike-nëntokësore. Nuk do të dëmtohet hapësira e gjelbër, përkundrazi do të shtohet hapësira e gjelbër. Ato tualete sipas planit të sheshit janë tualete nëntokësore të cilat nga sipërfaqja e sheshit nuk do të vërehen dhe nuk do e dëmtojnë ambientin për rreth. Ato do të ndërtohen sipas standardeve siç parashihen për një gjë të tillë dhe komuna do të përkujdeset për mirëmbajtjen dhe sigurinë e tyre”, ka thënë Osaj për Indeksonline.

Disa nga pankartat e protestës së banorëve ishin: “Mos na vendosni WC publike në lagje”, “Nuk lejojmë që fëmijët tanë të rriten para ëc publike”, “Stop WC publike”, “Duam gjelbërim, jo WC”, “Kthejeni gjelbërimin aty ku ka qenë”./A.F/Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›