E Shtunë, 31 Tetor 2026

Engel: Jam optimist për marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë

New York, 28 mars. Kongresisti amerikan, Eliot Engel, në një intervistë të shkurtër për RTK është deklaruar optimist rreth takimit më 2 prill dhe arritjes së një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. “Jam optimist dhe mendoj se për të dyja palët rruga më e mirë është marrëveshja dhe pastaj të implementojnë atë që kanë nënshkruar,” tha Engel në një takim në New York në mbështetje të fushatës së tij që e kishte organizuar afaristi nga Kosova, Gjon Lleshaj.

“Mendoj se kjo marrëveshja është mënyra më e mirë për të shikuar kah e ardhmja si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë në mënyrë që të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë e vë në dyshim dhe në rrezik të ardhmen evropiane. Jam optimist sepse mendoj se kosovarët mendojnë se kjo është rruga përpara dhe shpresoj se edhe serbët mendojnë kështu,” tha Engel.

Kongresisti amerikan tha se ishte takuar në Washington me kryeministrin serb Ivica Daçiq dhe ai i kishte thënë se po punonte për ecje përpara. “Isha i impresionuar me atë që më tha. Mendoj se udhëheqësit e të dyja vendeve e dijnë se kjo është rruga përpara për shtetet e tyre”, tha Engel.

Kosova dhe Serbia duhet të lëvizin paralelisht kah BE

Në konstatimin se Serbia pritet do të përfitojë nga marrëveshja me një rrugë të shkurtuar dhe shpejtuar kah Bashkimi Evropian, ndërsa Kosovës nuk i është premtuar asgjë të paktën publikisht, kongresisti Engel tha:
“Atë që duam ne është të sigurojmë që Kosova dhe Serbia të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Ne nuk duam, unë nuk dua që Serbia të avancojë në këtë rrugë dhe më pas të bllokojë Kosovën në rrugën e anëtarësimit të saj në BE.

Mua më janë dhënë garancione se kjo nuk do të ndodhë, se të gjithë e kuptojnë se si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të ecin njejtë në një pako ujdi. Mendoj se Serbia e kupton se mënyra e vetme për të qenë pjesë e BE-së është që të ketë paqe me Kosovën. Ata nuk mund t’i kenë të dyja: të vazhdojnë me gjoja politikën për Kosovën si pjesë e Serbisë dhe në të njejtën kohë të aspirojnë Evropën. Kosova është një vend sovran dhe Serbia duhet ta pranojë këtë fakt.

Pas bisedës me Z. Daçiq pata përshtypjen se ata po lëvizin përpara dhe se ai po bën punën e duhur për vendin e tij. Mendoj se të dyja vendet duhet të ecin kah e ardhmja dhe ta kuptojnë se paqen duhet ta ndërtojnë bashkë. Nuk mundet që njëri të ecë dhe ta bllokojë tjetrin. Ato duhet të lëvizin bashkë dhe paralelisht kah BE”, tha Engel.

Nuk mund të qeverisin dy kryeqytete me një shtet

Në një pyetje rreth shqetësimit të krijimit të një Republika Srpska në veriun e Kosovës dhe mbeshtetjes së SHBA karshi qëndrimit që ka mbajtur Kosova rreth bisedimeve, kongresisti Engel tha:

“SHBA absolutisht mbeshtesin Kosovën. Kosova është një dhe e tërë dhe nuk ka rëndësi se a jeton në Mitrovicën e veriut apo të jugut, në Pejë apo në Prishtinë. Kosova është një vend, një shtet dhe si i tillë duhet të qeveriset nga kryeqendra, nga Prishtina. Nuk mund të kesh institucione paralele me të cilat Beogradi dirigjon se cfarë ndodhe ta zëmë në Mitrovicën e veriut. Kosova është Kosovë, duhet të udhëhiqet në tërë territorin e saj nga Prishtina.

Duhet të ketë siguri për të gjithë qytetarët e saj si për shqiptarët ashtu edhe për serbët. Manastiret, xhamitë, kishat, duhet të mbrohen, mirëpo një gjë duhet të jetë e qartë: Kosova është një dhe e tërë dhe nuk mund të ketë institucione paralele. Nuk mund të ketë një politikë të Beogradit që dirigjon në komunat me shumicë serbe. Në anën tjetër duhet të sigurojmë qe qytetarët serbë të Kosovës do të kenë të gjitha të drejtat e tyre si qytetarë të barabartë.

Qeveria serbe mund të interesohet për të drejtat e serbëve në Kosovë dhe kjo është në rregull edhe unë i mbështes, mirëpo nuk mund të kemi dy kryeqytete që të qeverisin me një shtet. Kryeqyteti i vetëm qe udhëheq dhe qeverisë me Kosovën është Prishtina”, tha Engel./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›