Banorët në Vlorë: Mos na tjetërsoni pronat
Vlorë- “Mos tjetërsoni pronat tona”. Kjo ka qenë parrulla e protestës së banorëve të zonës nga grykëderdhja e Vjosës në Zvërnec. Pasi kanë protestuar disa ditë më parë para godinës së qarkut të Vlorës, banorët që pretendojnë se po i ‘zhveshin’ nga pronat kanë rinisur protestën e tyre para organit të akuzës së Vlorës.
Rreth 60 protestues nga kjo zonë, me parrulla në duar ku kërkohej prona,thanë se duan drejtësi për çështjen e pronave, e cila po i zvarrit për vite të tëra.
“Njerëz anonimë po vijnë të na zaptojnë pronat, por nuk do të lejojmë askënd t’i cenojë ato”,- thanë protestuesit. Ndër të tjera ata kanë përmendur se mbas anonimatit të pronarëve të rinj, fshihen njerëz me pushtet, ndërsa denoncimet që ne kemi bërë në vite po fshihen nga prokurorët.
Sipas tyre është rrethuar një sipërfaqe prej 650 ha në pyjet e Pishë Poros dhe kjo sipërfaqe po ruhet me polici private. “Pyesim në komunë, na thonë nuk dimë gjë, pyesim dhe nuk na sqaron njeri, thotë një prej protestuesve. Po kështu është një tjetër sipërfaqe tokë bujqësore 126 ha e tjetërsuar në Delisuf”- sqarojnë ata.
Sipas tyre, me dokumentet e vitit 1922 këto toka, në fshatra të Novoselës nuk kanë pronarë të tjerë përveç banorëve të zonës. Ata i kanë bërë thirrje personave përgjegjës që bëjnë pazare në kuvend të mos luajnë me pronat e tyre.
Protestuesit kërkojnë transparencë të plotë në këtë proces, pasi ata, ashtu si thonë edhe vetë kanë 15 vjet që torturohen në komisone e gjykata.
Protesta ka zgjatur rreth një orë para godinës së gjykatës dhe prokurorisë. Protestuesit thanë se ata do të vijojnë me forma të tilla, deri në bllokim të rrugës nacionale, apo përshkallëzime të të gjitha mënyrave.