E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama në Irak: Për 16 muaj heqim trupat luftarake

Pas vizitës në Afganistan, kandidati presidencial demokrat, Barack Obama, zhvilloi sot bisedime në Bagdad me kryeministrin irakian, Nouri al-Maliki.

Në kuadrin e fushatës së tij për të marrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e nëntorit, zoti Obama ka premtuar se do t'i tërheqë të gjitha trupat luftarake amerikane nga Iraku brenda 16 muajsh, nëse zgjidhet president.

Çështja e tërheqjes së trupave nga Iraku është ndër më të mprehtat në fushatën presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që senatori dhe kandidati për kreun e Shtëpisë së Bardhë është deklaruar me kohë për largimin e trupave amerikane.

Komandantët amerikanë ne terren, por edhe disa anëtarë të kabinetit irakian, e kundërshtojnë idenë e vendosjes së afateve për largimin e trupave amerikane nga Iraku.

Senatori Obama thotë se prioriteti kryesor i pranisë amerikane jashtë vendit nuk duhet të jetë Iraku, por Afganistani. (BBC)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›