Barak kundër Liebermanit: Të ulen tensionet me Turqinë

“Është në interes të Izraelit të ulë tensionet me Turqinë”, deklaroi Ministri izraelit i Punëve të Brendshme, Ehud Barak, duke shtuar gjithashtu se Izraelit i nevojitet një zgjidhje me dy shtete me palestinezët.
Në përgjigje të ministrit izraelit të Punëve të Jashtme, Avigdor Lierberman, i cili i quajti turqit gënjeshtarë si dhe autoritetin palestinez të paligjshëm, Barak theksoi se Partia e Punës është për uljen e tensioneve me Turqinë si dhe për arritjen e një marrëveshjeje me palestinezët.
“Ne duhet të bëjmë ç’është e mundur për të moderuar dhe ndaluar tensionet me Turqinë”, theksoi Barak gjatë një vizite në sistemet “Elbit”, kompani elektronike për mbrojtjen në Haifa. “Duhet të lëmë pas tensionet dhe jo t’u rikthehemi mosmarrëveshjeve me Turqinë, në një teme qendrore ne politiken e Lindjes së Mesme”.
“Është në interes të izraelit të ulë tensionet dhe menjëherë të rikthehen në nivele normaliteti marrëdhëniet tona me Turqinë”, shtoi ai.
Barak gjithashtu ripërsëriti thirrjet e tij për një marrëveshje paqeje me palestinezët në bazë të fjalimit Bar-Ilan të kryeministrit Benjamin Netanjahu, i cili bëri thirrje për dy shtete.
Gjatë ditës së dielë, Lieberman deklaroi se Izraeli nuk duhet të arrijë një marrëveshje me palestinezët dhe sulmoi personalisht Presidentin e Autoritetit palestinez, Mahmud Abas. “Autoriteti palestinez është i paligjshëm dhe nuk ka zhvilluar zgjedhje. Ne nuk duhet të arrijmë një marrëveshje me palestinezët”, thekoi ai.
Liberman gjithashtu sulmoi lidershipin turk, duke e quajtur kreyministrin Erdoan dhe ministrin e Punëve të Jashtme Davutollu si gënjeshtarë. Liberman shtoi se Izraeli nuk do të kërkojë falje për vrasjen e nëntë turqve gjatë sulmit kundër flotiljes me 31 maj.
Përveç të tjerash, e përditshmja izraelite Haaretz citon Lierbermanin tek kritikonte kryeministrin Benjamin Netanjahu, duke theksuar se tentativa e tij për të arritur marrëveshje me palestinezët brenda vitit është thjesht jo realiste.