Barak kundër Liebermanit
Është në interes të Izraelit që të ulë tensionet me Turqinë, deklaroi ministri i Brendshëm izraelit, Ehud Barak, sipas të cilit Izraelit gjithashtu i nevojitet edhe një zgjidhje me dy shtete, me palestinezët.
Derisa po i përgjigjej ministrit të Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman, i cili turqit i quajti gënjeshtarë, ndërkaq Autoritetin Palestinez të paligjshëm, Barak theksoi se Partia e tij Laburiste është për uljen e tensioneve me Turqinë, por edhe për arritjen e një marrëveshjeje me palestinezët.
“Ne duhet të bëjmë ç’është e mundur që t’i zbusim dhe përfundojmë tensionet me Turqinë”, theksoi Barak, gjatë një vizite në kompaninë elektronike të mbrojtjes Elbit, në Haifa.
“Tensionet duhet t’i lëmë prapa, e jo t’ju rikthehemi mosmarrëveshjeve me Turqinë në temën qendrore të politikës së Lindjes së Mesme”, shtoi ai.
“Është interes i izraelit që t’i ulë tensionet dhe që marrëdhëniet tona me Turqinë menjëherë të rikthehen në nivele normale”, tha Barak tutje.
Ai gjithashtu përsëriti thirrjet për një marrëveshje paqësore me palestinezët, dhe atë në bazë të fjalimit në Bar-Ilan të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili asokohe bëri thirrje për krijimin e dy shteteve.
Gjatë së dielës, ministri i Jashtëm Lieberman deklaroi se Izraeli nuk duhet të arrijë një marrëveshje me palestinezët, ndërkohë që e sulmoi personalisht edhe presidentin e Autoritetit palestinez, Mahmud Abass.
“Autoriteti Palestinez është i paligjshëm, sepse ai nuk ka mbajtur zgjedhje. Ne nuk duhet të përmbyllim asnjë marrëveshje me palestinezët”, theksoi ai.
Lieberman sulmoi edhe lidershipin turk, duke i quajtur gënjeshtarë kryeministrin turk Erdogan dhe ministrin e Jashtëm turk Davutoglu. Sipas Lieberman, Izraeli nuk duhet assesi të kërkojë falje për vrasjen e nëntë turqve gjatë sulmit izraelit ndaj flotilës humanitare që po bartte ndihma humanitare për Gazën, më 31 maj të këtij viti.
Veç të tjerash, edhe ditorja izraelite ‘Haaretz’ citoi ministrin Lieberman të ketë kritikuar edhe vetë kryeministrin Netanyahu, duke nënvizuar se edhe tentimi i tij për të arritur një marrëveshje paqësore me palestinezët brenda këtij viti është një veprim joreal.